Kjo është Qeveria e Malit të Zi me kryeministër Dritan Abazoviq
BKT
Foto: Dritan Abazoviq/Facebook
Rajoni dhe Bota

Kjo është Qeveria e Malit të Zi me kryeministër Dritan Abazoviq

Jeton Musliu / RTKlive.com

Dritan Abazoviq mbajti mbledhjen e  parë konstituive si kryeministër i Malit të Zi, e cila u transmetua drejtpërdrejt edhe  në RTK1. Ai paraqiti kabinetin qeveritar, kurse ministrave u kërkoi të jenë të hapur e transparent.

“Askujt tjetër nuk i kemi borxh, përveç qytetarëve tanë”, tha Dritan Abazoviq, në fjalën e parë si kryeministër i Malit të Zi.

Për këtë arsye, ai tha se mbledhjet e Qeverisë do të jenë të hapura për publikun, raporton RTKlive.com.

Kryeministri 37 vjeçar nga Ulqini, i pari i nacionalitetit shqiptar në tërë historinë e këtij vendi, tha se ministrat që ia drejton, duhet të jenë të hapur e të qasshëm për media.

“Për aq sa lejon ligji, kërkoj  të jeni gjithmonë të hapur për mediat dhe publikun”, tha kryeministri Abazoviq, i cili një ditë më parë u votua nga deputetët e Kuvendit të Malit të Zi.

Ai mori mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Abazoviq po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrjen e saj.

Kabineti i i ri ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol. Ata janë:

Filip Axhiq-ministër i  Punëve të Brendshme nga partia URA, parti kjo që drejton edhe pesë ministri.

Vlladimir Jokoviq –zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë nga Partia Popullore Socialiste, parti kjo që drejton edhe gjashtë ministri.

Jovana Maroviq – zëvendëskryeministre dhe ministre e  Çështjeve Evropiane

Rashko Konjeviq- zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes

Ervin Ibrahimoviq- zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale

Ranko Krivokapiq-ministër i Punëve të Jashtme

Admir Adroviqin- ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

Fatmir Gjeka-ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave

Marash Dukaj-ministër i Administratës Publike

Adrijan Vuksanoviq- ministër  pa portofol

Bilana Shqepanoviq- Ministre e Shkencës (Arsimit)

Masha Vllaoviq-ministre  e Kulturës dhe Medias.

Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare “URA” e drejtuar nga  Abazoviq, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, nga Partia Popullore Socialiste.

Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota