Për 1 maj, protestë në Shkup
Besnik Iseni/ RTK
Me rastin e 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës,Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka theksuar se punëtorët janë forca lëvizëse e ekonomisë dhe zhvillimit shoqëror.
“Rritja historike e pagës minimale në 300 euro dhe ligji për ditën e diel jo pune, konfirmon se kujdesi dhe përkrahja ndaj punëtorëve është prioriteti ynë”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Por në anën tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, sot e shënoi këtë ditë me protestë, duke kërkuar harmonizim të rrogave të tjera me rritjen e rrogës minimale.
Sindikata kërkon rritje lineare prej 2.806 denarëve të të gjitha rrogave në shtet, duke filluar nga punëtori i përgjithshëm deri te Presidenti i shtetit.
Protesta filloi në orën 12:30 para ndërtesës së LSM-së, e më pas vazhdoi para Kuvendit, ndërtesës së Organizatës së Punëdhënësve dhe Odës Ekonomike, ku përfundoi para Qeverisë.
Nga LSM u bënë thirrje organizatave të tjera sindikaliste dhe konfederatave në vend t’i bashkëngjiten protestës së 1 Majit dhe bashkërisht të luftojnë për të drejtat e punëtorëve.
Vendimi për t’u organizuar protestë e sindikatave më 1 Maj është sjellë nga ana e Kryesisë dhe Këshilli si trupa më të lartë të LSM-së.























