Guardiola: Liverpool ka fituar titullin vetëm një herë në 30 vjet
Gara për titull në Ligën Premiere është shumë e nxehtë. Manchester City aktualisht ka 3 pikë epërsi ndaj Liverpoolit, falë fitores në fundjavë kundër Newcastle (5:0) dhe njëkohësisht barazimit të “The Reds” në duel me Tottenhamin (1:1).
“Do të jetë një duel i bukur me Liverpoolin për Premier League, edhe pse ata nuk është se janë mësuar ta fitojnë”, ka theksuar Guardiola, duke thumbuar konkurrentët për titull.
Pas eliminimit të dhimbshëm në Ligën e Kampionëve nga Real Madridi, Guardiola vendosi të shfryhet paksa tek rivali në kampionat: “Liverpool ka një histori të pabesueshme në nivel evropian, por nuk e ka në Premier League, ku ka fituar vetëm një herë në 30 vjet. Një javë më parë askush nuk mendonte se ne do të ishim kampionët. Të gjithë në këtë vend mbështesin Liverpoolin, mediat, tifozët dhe gjithë të tjerët”, ka shtuar Guardiola.
Më pas trajneri spanjoll u fokusua te vazhdimësia e garës për titullin në javët e fundit: “Tani duhet të bëjmë 9 pikë për ta fituar titullin, ndoshta edhe 6, do të varet nga takimet e ardhshme. E kemi fatin në duart tona, do të provojmë ta fitojmë dhe duhet të shohim vetëm veten tonë”, është shprehur trajneri i Cityt.
Deri në fund të kampionatit anglez këto dy skuadra do t’i luajnë edhe nga tri ndeshje, derisa dy prej kundështarëve i kanë të njëjtë. Në ndeshjet e radhës Liverpooli luan si mysafirë kundër Aston Villës dhe Southamptonit, derisa në javën e fundit e pret në shtëpi Wolverhamtponin. Ndërkaq, Manchester City luan kundër Wolverhamptonit dhe West Hamit si mysafir, derisa në javën e fundit e pret Aston Villën.























