BE: Finlanda mori një vendim historik për NATO-n
Rajoni dhe Bota

BE: Finlanda mori një vendim historik për NATO-n

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel përshëndeti njoftimin, sipas tij “historik”, të liderëve finlandezë për mbështetjen për anëtarësimin në NATO si një nxitje të rëndësishme për sigurinë evropiane.

”Uniteti dhe solidariteti i NATO-s dhe BE-së nuk kanë qenë kurrë kaq pranë”, shkroi Michel në Twitter.

”Në këtë kohë kur Rusia po sulmon Ukrainën, ky është një sinjal i fuqishëm parandalimi”, theksoi ai.

Reagimi i Michel vjen pasi presidenti dhe kryeministrja finlandeze u shprehën sot në favor të anëtarësimit në NATO dhe “pa vonesa” duke specifikuar se vendimi i vendit nordik do t’i njoftohet organizatës ditën e dielë, më 15 maj.

“Të jesh anëtare e NATO-s do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte aleancën në tërësi”, deklaroi presidenti Sauli Niinisto.

”Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, shtuan Niinisto dhe kryeministrja, Sanna Marin në një deklaratë të përbashkët.

Ka pasur disa indikacione se Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1 300 kilometrash me Rusinë, do të aplikonte për anëtarësim në NATO në dritën e pushtimit rus të Ukrainës.

Mbështetja e kreut të shtetit dhe kreut të qeverisë finlandeze, e shpallur në një deklaratë të përbashkët, e bën edhe më të mundshme që Finlanda të aplikojë për anëtarësim në aleancën ushtarake, pas dekadash qëndrimi zyrtarisht neutral.

Ka pasur një ndryshim drastik në opinionin publik drejt anëtarësimit në NATO që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Në një sondazh të fundit, 76% e të anketuarve në Finlandë ishin në favor të një lëvizjeje të tillë.

Disa parti politike kanë sinjalizuar gjithashtu mbështetjen e tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota