Juventusi barazon me Lazion
Blerim Halimi / RTKlive
Juventusi ka dështuar të marrë pikët e plota në ndeshjen e fundit të këtij edicioni para tifozëve të vet, pasi ka barazuar 2:2, të hënën në mbrëmje, në duel me Lazion.
Kjo ndeshje ishte emocionuese për kapitenin Giorgio Chiellini, i cili luajti ndeshjen e fundit me Juventusin, teksa karrierën pritet ta vazhdojë në SHBA. Në shenjë respekti të gjithë tifozët në “Allianz Stadium” në minutën e 18-të u ngritën në këmbë për ta përshëndetur atë, pasi po e braktiste fushën.
Paraprakisht në minutën e 10-të Dusan Vlahovic e kaloi “Zonjën e Vjetër” në epërsi, teksa epërsinë e dyfishoi Alvaro Morata, në minutën e 36-të.
Megjithatë, në pjesën e dytë gjërat ndryshuan në të mirë të Lazios. Me të filluar kjo pjesë Alex Sandro realizoi autogol, teksa krejt në minutat e fundit Milenkoviq-Saviq realizoi për rezultatin përfundimtar, 2:2.
Pas këtij barazimi Juventusi e mban pozitën e katërt në Serie A, me 70 pikë, derisa Lazio mbetet në vendin e pestë, me 7 pikë më pak.
Në javën e fundit, bardhezinjtë do të luajnë si mysafirë të Fiorentinës, derisa Lazio në shtëpi e pret Veronën.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së sotme, Sampdoria shënoi fitore bindëse ndaj Fiorentinës, me rezultat 4:1.























