Kryeministrja e Finlandës për Turqinë: Mospajtimet të zgjidhen me dialog
HBL
Rajoni dhe Bota

Kryeministrja e Finlandës për Turqinë: Mospajtimet të zgjidhen me dialog

Petra Miettinen/Hufvudstadsbladet

Nuk ka arsye për t`u shqetësuar, Turqia tani kërkon vëmendje, por problemet mund të zgjidhen me diplomaci dhe diskutim, deklaroi kryeminisrtja Sana Marin për situatën mes Finlandës e Turqisë, e cila ka të bëjë me aplikimin e Finlandës dhe të Suedisë për anëtarësim në NATO.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, hapi një vrimë në flluskat finlandeze dhe suedeze të NATO-s të premten, kur njoftoi se Turqia nuk mund të miratonte aplikimet e vendeve në NATO.

A dëshiron Turqia, si e vetmja nga 30 vendet anëtare të NATO-s, të pengojë Finlandën dhe Suedinë të bashkohen me aleancën e mbrojtjes? Si duhet të interpretohet deklarata e Erdoganit?

Këto pyetje u bënë nga programi i aktualitetit A-studio të hënën në mbrëmje të ftuarve, kryeministres Sana Marin (Sanna Marin) dhe tre liderëve të tjerë partiakë.

"Mund të na duhet pak durim këtu tani. Finlanda është vazhdimisht në bisedime me Turqinë dhe vendet e tjera të NATO-s. Si presidenti Sauli Niinistö, ashtu edhe ministri i Jashtëm,Peka Havisto (Pekka Haavisto), kanë qenë në kontakt me kolegët e tyre në Turqi, ne jemi në bisedime me disa vende të ndryshme", deklaroi Sanna Marin.

Ajo pranoi se mesazhet kontradiktore janë shqetësuese, pasi që Turqia më herët ka deklaruar se nuk donte ta pengonte aplikimin e mundshëm të Finlandës në NATO, por tani, befas, thotë pikërisht të kundërtën.

Më herët të hënën, Erdogan shtoi se ishte e panevojshme që Finlanda dhe Suedia të dërgonin delegacionet e tyre në Ankara për të diskutuar kërkesën. Kjo nuk e pengoi Sanna Marin.

"Mesazhi i tij nuk ishte veçanërisht inkurajues, por mendoj se problemin e zgjidhim me bisedime. Si Ministria e Punëve të Jashtme, ashtu edhe Ambasada Finlandeze në Turqi janë të përfshira në këtë rast", siguroi ajo.

Ndalimi i eksportit të armëve

Një arsye për lëvizjen e Turqisë javën e kaluar është ndalimi i eksportit të armëve që iu drejtua Turqisë në vitin 2019, pasi vendi kishte sulmuar zonat e banuara me popullatën kurde. Pyetja tani është nëse Finlanda është e përgatitur të heqë këtë ndalim në mënyrë që Turqia të miratojë aplikimin tonë në NATO.

Lideri i opozitës, Peteri Orpo (Petteri Orpo), dha mbështetjen e qeverisë së Marinës për këtë çështje, duke përsëritur se Finlanda dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën dhe se problemi sigurisht mund të zgjidhet përmes dialogut.

“Turqia kryesisht dëshiron që ne të vërejmë dëshirat e saj dhe të kemi një diskutim konstruktiv për problemin. Ne duhet t'i marrim seriozisht kërkesat e vendit, por megjithatë t'i përmbahemi parimeve tona për ndalimin e eksportit të armëve”, tha Petteri Orpo.

Kryetarja e partisë “Qendra”, Anika Sariko (Annika Saarikko), përsëriti gjithashtu mesazhin e kryeministres Marin për diplomacinë dhe ndërveprim, por nuk mbajti qëndrim për çështjen e eksportit të armëve.

“Politika e Jashtme e Finlandës nuk do të ndryshojë për shkak të anëtarësimit në NATO. Ne do të vazhdojmë të besojmë në diplomaci dhe kjo vlen edhe për marrëdhëniet tona me Turqinë. Ne kemi bashkëpunuar me të gjitha vendet anëtare gjatë gjithë pranverës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Annika Saarikko.

Presidentja e partisë “Finlandezët e vërtetë”,Rika Purra (Riikka Purra), hodhi idenë se mesazhi i Turqisë mund të mos i ishte drejtuar Finlandës, por mund të ketë qenë një mosmarrëveshje e brendshme politike që reflektohet në proces.

“Politika e Finlandës nuk është subjekt i shantazhit”, tha Riikka Purra.

(Nga suedishtja përktheu: Muharrem Miftari/RTKLive)


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa