Bellerin do të kthehet te Arsenali
Blerim Halimi / RTKlive
Hector Bellerin do të kthehet në Arsenal këtë verë pasi huazimit të tij te Real Betis po i vjen fundi. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur presidenti i skuadrës spanjolle.
Mbrojtësi i djathtë u transferua përkohsisht te Betis në gushtin e kaluar dhe me paraqitjet e tij ka lënë gjurmë në këtë edicion.
Bellerin është paraqitur në 32 ndeshje në të gjitha garat, duke e ndihmuar Betisin ta fitojë Kupën e Mbretit, të arrijë në fazën e eliminimit në Europa League dhe të ketë një përfundim të mirë të edicionit në La Liga.
“Hektori është një lojtar fanatik dhe një person shumë i mirë. Ai ishte një huazim që e morëm nga Arsenali, tani ai kthehet në Arsenal dhe më pas do të shohim se çfarë do të bëjmë”, ka theksuar presidenti i Betisit, Angel Haro.
"Është e vërtetë që ai ka qenë shumë i lidhur në gjithçka rreth Betisit, sepse, përveç kësaj, prindërit e tij janë tifozë të klubit tonë. Shpresojmë që rrugët tona të na bashkojnë sërish", ka shtuar ai.
Bellerin, 27 vjeç, ka pasur një ndikim të madh në ekipin që e ka mbështetur që nga fëmijëria.
Reprezentuesi spanjoll u përlot teksa u dha lamtumirën tifozëve të klubit pas ndeshjes së tyre të fundit në shtëpi, në fitoren 2-0 kundër Granadës javën e kaluar.
Përveç fitimit të Kupës së Mbretit, Betis është në garë për ta përmbyllur edicionin në “Top-5” në La Liga.