Erdogan dhe Macron biseduan për aplikimin e Finlandës në NATO
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKLive
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, në një bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka shprehur kundërshtimin për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Sipas Zyrës së Presidenncës turke, Erdogan deklaroi se kontaktet e Finlandës dhe Suedisë me individë dhe institucione të lidhura me PKK-në dhe YPG-në bien ndesh me frymën e NATO-s, njofton HBL.
Organizata guerile kurde PKK cilësohet si terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja - e rrjedhimisht edhe nga Finlanda e Suedia. YPG, nga ana tjetër, mori drejtimin si aleate me vendet perëndimore në përpjekjet e luftës kundër lëvizjes terroriste IS në Siri.
Turqia ka bërë një sërë kushtesh për të pranuar Finlandën dhe Suedinë në aleancën e mbrojtjes. Është publikuar një listë përmes të cilës shtrohen një sërë kërkesash për pranimin e Suedisë në NATO, ku ndër të tjera kërkohet që Suedia ta ndalojë, siç thuhet në atë listë, “mbështetjen politike për terrorizmin”.
Suedia, SHBA dhe BE nuk e klasifikojnë YPG-në si terroriste. Turqia, nga ana tjetër, e barazon YPG-në me PKK-në.
Biseda mes Macron dhe Erdogan u përqendrua edhe në luftën e Ukrainës.























