OJQ nga Serbia e Kosova, kundër gjuhës së Vulin ndaj shqiptarëve
BKT
Foto: Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë
Rajoni dhe Bota

OJQ nga Serbia e Kosova, kundër gjuhës së Vulin ndaj shqiptarëve

Jeton Musliu / RTKlive

OJQ-të theksuan se gjuha e urrejtjes minon përhapjen e vlerave evropiane në shoqëri, si dhe sundimin e ligjit dhe funksionimin e një shoqërie demokratike dhe tolerante.

Një grup i organizatave joqeveritare dhe individëve nga Beogradi dhe Kosova ,dënuan sot gjuhën e urrejtjes së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, të përdorur ndaj shqiptarëve.

Ata  protestuan ndaj tij sepse i njëjti vazhdon të përdorë fjalën "shiptar" kur iu referohet shqiptarëve, në vedn se ta përdorë fjalën “albanci”.

Në një deklaratë të përbashkët ata i kanë bërë thirrje qeverisë së Serbisë dhe kryeministres Ana Brnabiq, që të reagojnë dhe të dënojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe të kundërshtojnë përdorimin e termit të tillë për shqiptarët.

Ata deklaruan se Vulin e ka përdorur këtë fjalë në disa raste më 20 maj, duke folur për shqiptarët dhe se deklarata e tij për media është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Në vitin 2018, gjyqësori serb konstatoi se fjala ‘shiptar’ është fyese dhe është e shënuar si gjuhë urrejtjeje. Përkundër kësaj, ministri Vulin në mënyrë aktive dhe konsekuente e përdor këtë fjalë kur është fjala për shqiptarët dhe vazhdon ta bëjë këtë, pa asnjë pasojë për pozitën e tij në Qeverinë e Serbisë”, thanë këto OJQ, duke konstatuar se zyrtarët publikë që përdorin gjuhë të  urrejtjes, nuk kanë vend në qeveri e pushtet.

“Kur zyrtarët e lartë të shtetit përdorin gjuhën e urrejtjes për të synuar një grup të caktuar etnik, kjo mund të ketë pasoja shkatërruese, sepse inkurajon diskriminimin, radikalizimin etno-politik dhe potencialisht çon në dhunë”.

Deklarata është nënshkruar së bashku nga Aktiv, Forumi Ballkanik, BPRG, Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, Iniciativa Qytetare, Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Graçanicë, Demokraci Plus, Fondacioni BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, Asistent Profesor Jelena Loncar, Universiteti i Beogradit dhe Instituti Demokratik i Kosovës.

Deklarata është nënshkruar edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Komisioni i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat e Reja Sociale, Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Bujanoc, aktivistët Rahim Salihi, Valon Arifi, Vjolca Arifi, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve dhe Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe nga Kosova.

(Marrë me shkurtime nga disa media në Serbi)


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota