Arbër Zeneli: Duhet të mos e kursejmë veten për shtetin tonë
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Kombëtarja e Kosovës në futboll, pasditen e sotëm ka mbajtur stërvitjen e radhës para ndeshjes me Qipron.
‘Dardanët’ ciklin e ri në Ligën e Kombeve e nisin me 2 qershor në Larnaca kundër Qipros.
Përveç stërvitjeve të zakonshme, në ditën e sotme përzgjedhësi Alain Giresse ka vendosur të zhvillojë edhe një ndeshje testuese, duke i ndarë lojtarët në dy ekipe. Për këtë ndeshje u ftuan edhe katër lojtarët e Kombëtares U21, Leard Sadriu, Valon Zumberi, Ilir Krasniqi dhe Qendrim Zyba.
Pas seancës së sotme stërvitore, mesfushori Arbër Zeneli është shprehur i lumtur që pas një viti mungesë është rikthyer sërish në ekipin kombëtar, teksa shpreson në cikël të suksesshëm.
“Mund të presim ndeshje shumë të mira. Shpresoj ta nisim me fitore ndaj Qipros në ndeshjen e parë e pastaj ndaj Greqisë ta kemi stadiumin e mbushur me shikues. Më kanë munguar shumë paraqitjet me Kosovën. Jam kthyer në shkurt, pastaj pata rastin të vij në mars por u lëndova sërish, ndërsa tani jam shumë mirë. Për Kosovën duhet ta japim maksimumin të gjithë. Duhet mos e kursejmë veten për shtetin tonë, për shikuesit që vijnë dhe për të gjithë shqiptarët që janë gjithandej. Jam në formë të mirë, por çdo minutë më shumë për mua është e rëndësishme. Pres ndihmën e shikuesve kundër Greqisë dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka theksuar Zeneli.
Kombëtarja jonë do të vazhdojë edhe nesër më stërvitjen e radhës në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për duelin me qipriotët.























