Sahiti: Është ndjenjë e mirë ta përfaqësoj Kosovën
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Kombëtarja e Kosovës në futboll, pasditen e sotëm ka mbajtur stërvitjen e radhës para ndeshjes me Qipron.
‘Dardanët’ ciklin e ri në Ligën e Kombeve e nisin me 2 qershor në Larnaca kundër Qipros.
Pas seancës së sotme stërvitore, sulmuesi i krahut, Emir Sahiti, nuk ka mundur ta fshehë entuziazmin e tij në grumbullimin e parë me Kombëtaren.
Ai ka premtuar se do të jep maksimumin për Kosovën në ndeshjet e qershorit në kuadër të Ligës së Kombeve. Sahiti thotë se tifozët ‘Dardanët’ janë lojtari i 12-të për Kombëtaren tonë.
“Është ndjenjë e mirë ta përfaqësoj Kosovën. Është grumbullimi im i parë dhe do të mundohem ta jap maksimumin. Shihet që ka cilësi në ekipin e Kosovës. Kemi bërë katër ditë stërvitje së bashku dhe po ndjehemi mirë pas sezoneve të mira që kemi pasur me skuadrat tona. Shpresojmë në fitore ndaj kundërshtarëve tanë. Me Hajdukun fituam Kupën dhe jam grumbulluar te Kosova me një motiv të madh. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën. Tifozët ‘Dardanët’ janë lojtari i 12-të për ne dhe besoj se do të kemi përkrahje të madhe e neve na mbetet t’ua kthejmë me fitore”, ka thënë Sahiti.
Dardanët do të vazhdojnë me stërvitje edhe paraditen e së martës në orën 10:30 në stadiumin “Fadil Vokrri”, teksa të mërkurën në mëngjes do të udhëtojnë drejt Qipros.























