Kastrati: Do të japim maksimumin për të treguar vlerat e shtetit tonë
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sot ka zhvilluar stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Qipro, ku më 2 qershor do ta luajë ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve.
Atmosfera në taborin e ‘Dardanëve’ duket mjaft e mirë dhe premtuese për një rezultat pozitiv në duel me qipriotët.
Sfidën me Qipron e vlerëson mjaft të rëndësishme futbollisti Lirim Kastrati. Ai është i bindur se të gjithë futbollistët që do të jenë në terren në duel me qipriotët, do të japin maksimumin.
“Pres rezultat pozitiv. Të gjithë jemi në formë të mirë, derisa kur je pjesë e ekipit kombëtar është një ndjenjë ndryshe. Besoj se do të japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë”, ka thënë Kastrati.
Ai beson që Kosova mund të dalë e para e grupit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
“Me punën serioze që jemi duke e bërë besoj se do të arrijmë sukses, ngase kemi kualitet dhe potencial”, ka shtuar ai.
Edhe Kastrati pret që “Dardanët” t’i qëndrojnë përkrah Kombëtares dhe së bashku t’i gëzohen sukseseve të reja.
Kombëtarja jonë nesër në mëngjes udhëton për në Qipro.























