Finlanda refuzon të ekstradojë njerëz që Turqia i konsideron si terroristë
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKlive
Finlanda nuk ka ekstraduar njerëz, të cilët Turqia beson se kanë lidhje me "Llëvizjen Gylen" ose PKK.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka pasur asnjë bazë për ekstradimet.
Sipas Agjencia së lajmeve finlandeze STT (Suomen Tietotoimisto), e cila ka kërkuar dokumente nga Ministria e Drejtësisë për kërkesat për ekstradim që Turqia i ka bërë Finlandës gjatë viteve 2019–2022, bëhet e ditur se deri në qershor të këtij viti Finlanda ka pranuar dhjetë kërkesa, prej të cilave Finlanda ka marrë vendime që vlejnë për shtatë persona.
Dy persona janë ekstraduar, por sipas STT, shkrimi që është publikuar në Helsingin Sanomat, asnjëri prej tyre nuk duket se kanë lidhje me terrorizmin.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, po pengon aplikimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO duke komentuar, mes tjerash, se këto vende do të ishin "shtëpi për terroristët". Turqia e ka quajtur si terroriste “Lëvizjen Gylen” dhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit PKK.
Sipas STT, Turqia ka kërkuar që të ekstradohen dy persona të lidhur me “Lëvizjen Gylen”, të cilën as BE dhe as Finlanda nuk e shohin si organizatë terroriste. Finlanda nuk ka pranuar asnjë nga kërkesat, duke përmendur faktin se Turqia nuk ka mundur të provojë krimet konkrete që do të kishin kryer.
Dy personat që Finlanda ka ekstraduar në Turqi kanë kryer vepra seksuale dhe më pas Ministria e Drejtësisë kërkoi një deklaratë paraprakisht nga Gjykata e Lartë.
Në mënyrë që Finlanda të ekstradojë një person, akti për të cilin ai akuzohet duhet të dënohet si në Finlandë ashtu edhe në vendin që kërkon ekstradimin.























