Giresse e lojtarët flasin, francezi thotë se u ndien mungesat (E plotësuar)
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Kosovës, Alain Giresse ka thënë se Kosova në ndeshjen e sontme me Greqinë, ku humbi 2-0, ka ndierë mungesat.
Giresse dhe futbollistët kanë folur pas ndeshjes.
“Kjo ndeshje e komplikon punën. Ishte shumë e vështirë përballë Greqisë. Nuk e patëm në kontroll topin, kishim shumë vështirësi, sidomos gjatë pjesës së parë. Tentuam pak në pjesën e dytë, por nuk ia dolëm. Duhet të punojmë shumë për t’u përmirësuar, për të rritur potencialin e lojtarëve. Sot u ndie mungesa lojtarëve. Kemi nevojë për kontributin e gjithsecilit për të përballuar një ekip si Greqia ka theksuar francezi. "Kemi tentuar të ndryshojmë lojën gjatë pjesës së dytë, kemi tentuar të ndryshojmë formacionin, por gjendja e tillë është, duhet të shohim përpara”.
Ndërsa Amir Rrahmani ka thënë se trajneri grek, madje edhe e ka sharë atë.
“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, ku vuajtëm shumë dhe nuk arritëm të dalim dot në kundërsulm. Kemi humbur shumë topa në mesfushë dhe nga shansi për të dalë në kundërsulm, jemi kapur në vështirësi.Greqia bëri presion shumë lart dhe unë me Mirlindin ishim gjithmonë një kundër një. Nuk e kontrolluam topin shumë dhe ndoshta këtu ndikoi edhe presioni i madh që kishte ky takim", ka thënë Rrahmani.
"U ankova te arbitrat, pasi fishekzjarret ishin shumë të rrezikshme, por kur po flisja me ta, erdhi trajneri grek dhe më shau. Iu ktheva menjëherë, duke i thënë se je trajner dhe nuk të takon të flasësh me këtë gjuhë”.
Vedat Muriqi ka thënë se nuk do të ishte keq që Kosova të shpallej vendi i dytë më i mirë nga të gjitha grupet. “E kemi ditur se kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë. Nuk na dhanë shumë mundësi. Pse jo të mos mbarojmë në vendin e dytë. E kemi ditë që do të na provokojnë. Kjo është diçka politike. Dua të falënderoj të gjithë dardanët që ishin këtu. Përkundër të gjithave, ata luftuan si ne në fushë, edhe ata jashtë fushës”, ka thënë Muriqi.
Greqia mposht Kosovën
Greqia ka mposhtur Kosovën me rezultat 2-0. Kjo ka ndodhur në një ndeshje të dominuar nga helenët brenda fushës së lojës, në kuptim të posedimit të topit, po edhe statistikave të tjera, si dhe me tensione në tribuna, ku shikuesit kanë provokuar kosovarët, si ekipin që gjendej në fushë e edhe tifozët.
Përballë situatave të diskutueshme në fushë shpeshherë indiferent është treguar edhe vetë gjyqtari austriak.
Grekët kanë kaluar në avantazh në minutën e 71-të përmes një gjuajtje me kokë nga Giakoumakis, e cila ishte e fortë për Muric.
Pastaj ndeshja është ndërprerë për disa minuta, pasi tifozë grekë janë futur në fushë. Ndeshja ka filluar vetëm pas disa konsultimeve të arbitrit me të dy ekipet.
Me të filluar ndeshja trajneri i Kosovës ka bërë ndryshime, duke aktivizuar Sahitin dhe Zenelin, por çdo gjë ishte vonë për një arritje të barazimit.
Në fund të nëntëdhjetëminutëshit, austriaku ka dhënë tetë minuta shtesë, por as ata nuk mjaftuan për një rikthim të Kosovës.
Kur gjyqtari po matej t'i binte bilbilit për mbarimin e ndeshjes, Muriç kishte lëshuar portën në kërkim të golit ndaj grekëve, por një nga grekët, Mantalos,hodhi topin në drejtim të portës së Kosovës, që kishte mbetur e zbrazur dhe rezultati shkoi në 2-0.
Kjo fitore e betonon Greqinë në pozitën e parë të grupit, duke bërë që Kosova të luajë sërish në Ligën C.
Giakoumakis kalon në epërsi Greqinë, ndeshja ndërpritet
Greqia ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës, ndërsa ndeshja është ndërprerë për disa minuta pasi tifozë grekë janë futur në fushë.
Ka qenë minuta e 71-të kur grekët kaluan në epërsi përmes një gjuajtje me kokë nga Giakoumakis.
Pas golit ndeshja është ndëprerë, meqë tifozë grekë janë futur në fushë. Ndeshja ka filluar vetëm pas disa konsultimeve të arbitrit me të dy ekipet.
Greqia dhe Kosova shkojnë në pushim pa gola
Pjesa e parë e parë e ndeshjes Greqi-Kosovë do të mund të kryhej krejt lehtë me epërsi të vendasve, por Aro Muric e ka shpëtuar një gol të sigurt.
Ekipet kanë shkuar në pushimin prej pesëmbëdhjetë minutave pa gola.
Kosova rastin më të mirë e ka pasur me Muslijën në fund të minutave të pjesës së parë, një gjuajtje e të cilit ka fluturuar mbi portë.
Gjyqtari austriak e ka kursyer lojtarin grek në një rast pas një ndërhyrje ndaj Rrudhanit, por nuk e ka kursyer edhe Kryeziun, që e ka ndëshkuar me karton të verdhë.
Tifozëria greke gjatë tërë kohës ua ka hedhur në sy laserin futbollistëve të Kosovës.
Nis ndeshja Greqi - Kosovë
Ka nisur ndeshja Greqi - Kosovë, e vlefshme për Nations League. Sfida ka rëndësi për kryesimin e grupit pasi tashmë Qipro dhe Irlanda e Veriut kanë ngelur mbrapa.
Kosova ka rikthim të Muric e Aliti, por mungon Zhegrova.
Ndeshja po shkon direkt te "Radio Kosova. "
Greqia e Kosova sonte ndeshën në Volos (Video)
Ndeshja ku sonte luajnë Greqia e Kosova është në Volos. Ky qytet bregdetar është 328 kilometra në veri të Athinës.
Atje tashmë kanë shkuar shumë tifozë të kombëtares së Kosovës.
Shumë nga “Dardanët” kanë udhëtuar në këtë qytet në përkrahje të kombëtares së Kosovës.
Gazetari i RTK-së, Artan Muhaxhiri, sjell një video me pamje nga qyteti ku sonte luhet kjo ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve.
Greqi - Kosovë, formacionet
Greqia e pret Kosovën sonte në kuadër të Nations League. Tashmë janë publikuar edhe formacionet.
Me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Panthessaliko Stadium” në Voles, Kombëtarja e Kosovës e zhvillon ndeshjen e katërt të këtij edicioni në Ligën e Kombeve dhe do të jetë mysafire e Greqisë.
Te Kosova janë kthyer Muric e Aliti, të cilët ishin të ndëshkuar nga ndeshja e parë, por ka mungesa të tjera, më e madhja ajo e Zhegrovës.
Kosova vjen në këtë ndeshje pas fitores ndaj Irlandës së Veriut me rezultat 3-2 bë “Fadil Vokrri”. Ndërsa në dy ndeshjet tjera, “Dardanët” e mposhtën Qipron ndërsa u mposhtën pikërisht nga Greqia.
Formacioni: Greqia
Vlachodimos; Baldock, Mavropanos, Chatzidiakos, Tsimikas; Bouchalakis, Bakasetas, Siopis; Chatzigiovanis, Pavlidis, Masouras.
Formacioni: Kosova
Muric, Domgjoni, Rrahmani, Kryeziu, Aliti, Rrudhani, Berisha, Rashica, Muslija, Bytyqi, Muriqi
























