Kryeprokurori amerikan në Ukrainë për të mbështetur hetimet për krime lufte
Rajoni dhe Bota

Kryeprokurori amerikan në Ukrainë për të mbështetur hetimet për krime lufte

VOA

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, vizitoi Ukrainën të martën për të shprehur mbështetjen amerikane për Kievin në ndjekjen penale të forcave ruse të akuzuara për krime lufte dhe mizori të tjera.

Zoti Garland u takua me Prokuroren e Përgjithshme të Ukrainës, Iryna Venediktova, e cila po drejton hetimet lidhur me ato që Kievi thotë se janë 16,000 krime lufte të raportuara që kur Rusia sulmoi atë vend katër muaj më parë.

Rusia ka mohuar se ka vënë në shënjestër popullsinë civile. Ndërsa po shkonte në takim, zoti Garland u tha gazetarëve: “Jam këtu për të shprehur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës pas sulmit të paprovokuar dhe të padrejtë rus”.

Ai shtoi se, “Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një mesazh të pagabueshëm. Nuk ka vend për t'u fshehur. Ne dhe partnerët tanë do të ndjekim çdo rrugë në dispozicion për t‘u siguruar që ata që janë përgjegjës për këto mizori të mbahen përgjegjës”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë, i drejtuar nga zoti Garland, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, ka krijuar grupin e punës të quajtur "KleptoCapture", i cili është i përqendruar në sekuestrimin e jahteve dhe pasurive të tjera luksoze të oligarkëve rusë që po mbështesin agresionin e Presidenti Vladimir Putin në Ukrainë. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara sekuestruan një super jaht që kishte kapur në Fixhi.

Muajin e kaluar, në gjyqin e parë për krimet e luftës në Ukrainë, një ushtar rus u deklarua fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur katër ditë pas fillimi të agresionit rus. 21-vjeçari Vadim Shishimarin u dënua me burgim të përjetshëm për sulmin fatal ndaj një 62-vjeçari ukrainas.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa