Biden merr masa për të kompensuar pasojat e rritjes së çmimit të gazit
Rajoni dhe Bota

Biden merr masa për të kompensuar pasojat e rritjes së çmimit të gazit

VoA

Konflikti në Ukrainë, në muajin e tij të katërt, po shkakton ndërprerje në mbarë botën – nga ajo, që presidenti Joe Biden e quan “rritje të çmimit të naftës nga Putini” për konsumatorët amerikanë, e deri tek një krizë ushqimore e afërt globale.

Të mërkurën, presidenti Biden tha se po merr masa në përpjekje për të kompensuar pasojat, diçka që ai tha se do të përqendrohej teksa takohen me udhëheqësit e G-7 dhe NATO-s javën e ardhshme në Evropë, për dy takime të rëndësishme dhe më pas udhëtimin në Lindjen e Mesme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Joe Biden thotë se e kupton, që askujt nuk i pëlqen të shpenzojë më shumë për mallrat jetike, si karburanti dhe ushqimi, duke shtuar se rritjet e dhimbshme të çmimeve, janë një rezultat i pashmangshëm i një konflikti brutal në anën tjetër të botës: sulmi i presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.

“Ne ndërpremë naftën ruse në Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë në Evropë bënë të njëjtën gjë, duke e ditur se do të shihnim çmime më të larta të karburantit. Ne mund të kishim mbyllur njërin sy ndaj vrasjeve të Putinit dhe çmimi i karburantit nuk do të ishte rritur siç është rritur. Por do të ishte gabim të kishim vepruar ashtu”.

Çmimet e karburantit janë rritur në mbarë botën, pjesërisht për shkak të sanksioneve të ashpra ndaj naftës dhe mallrave ruse dhe pjesërish nga pandemia, e cila ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe prodhimin. Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësit e Arabisë Saudite në korrik, në një përpjekje për të bindur kartelin global të naftës që të rrisë prodhimin. Brenda vendit, ai po bën thirrje që Kongresi të heqë taksën federale të gazit dhe që shtetet të pezullojnë taksat e tyre të karburantit.

Republikanët e kundërshtojnë një gjë të tillë.

"Ajo që po sugjeron administrata, natyrisht, është një tjetër mashtrim, një tjetër ndihmë e përkohshme, diçka që ata e dinë se nuk do të miratohet në Kongres", thotë senatori republikan John Thune.

Putini gjithashtu nuk duket se po tërhiqet.

"Jemi krenarë që gjatë operacionit special ushtarak luftëtarët tanë po veprojnë me guxim, profesionalizëm, si heronj të vërtetë. Ushtarët rusë të kombësive të ndryshme luftojnë krah për krah. Në besimin tek kauza sonë, në mbështetjen e madhe popullore që ushtarët tanë gëzojnë, qëndron forca e madhe e pamposhtur e Rusisë”, tha presidenti Putin.

Analistët thonë se përqëndrimi i presidentit Biden tek pasojat ekonomike të luftës është kritik për të ruajtur mbështetjen publike.

“Është e llogjikshme që Presidenti Biden ta vërë theksin tek rritja e çmimit për shkak të Putinit. Ndërsa lufta vazhdon, shohim se ajo ndikon në mënyra të ndyshme tek ekonomitë e ndryshme të vendeve të NATO-s. Dhe rritja e çmimeve në pikat e karburantit këtu në Shtetet e Bashkuara është e ndjeshme. Si ta mbash mbështetjen për një luftë? Si ta mbash publikun aleat, ndërsa lufta vazhdon, dhe njerëzit fillojnë të ndiejnë pasojat e saj, në mënyra të ndryshme dhe ta ndiejnë atë në xhepat e tyre? Kjo është një sfidë e madhe për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara”, thotë Kathleen McInnis me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë thotë se çmimet më të larta nuk janë pasoja e vetme e luftës; Rusia po bllokon gjithashtu eksportet e grurit ukrainas, duke shkaktuar tronditje në mbarë botën, deri në Afrikë. Kjo ka të ngjarë të jetë një temë kur udhëheqësit e shtatë vendeve më të pasura të botës të takohen javën e ardhshme në Gjermani.

“Presidenti Putin e përdor ushqimin si armë. Le t’i themi faktet ashtu si janë: Ai ka vendosur një bllokadë në Detin e Zi, në mënyrë që asgjë të mos mund të largohet nga deti dhe kjo është, natyrisht, mënyra se si Ukraina ka nxjerrë historikisht grurin e saj në tregjet botërore. Presidenti Biden po punon me udhëheqësit në mbarë botën për të parë nëse ka mënyra të tjera tokësore, që mund të përdoren", tha John Kirby me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Ukrainës thotë se kjo mbështetje ka ndikim ndërsa vendi i tij vazhdon të luftojë kundër forcave ruse.

"Jetët e mijëra njerëzve varen drejtpërdrejt nga shpejtësia e veprimeve të partnerëve tanë - nga shpejtësia se si i zbatojnë vendimet e tyre për të ndihmuar Ukrainën", tha presidenti Zelenskyy.

Por ndërsa kjo luftë po kalon në muajin e pestë, çmimin më të lartë nga të gjithë po e paguajnë njerëzit e zakonshëm.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota