Rusia nuk arrin ta menaxhojë borxhin e saj të jashtëm
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKlive
Rusia nuk është në gjendje të paguajë interesin e borxhit të saj të jashtëm. Moratoriumi njëmujor për një borxh prej 100 milionë dollarësh skadoi të dielën, por, për shkak të sanksioneve, paratë ruse nuk do t`i arrijnë marrësit e saj.
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportojnë se për herë të parë, që nga viti 1918, Rusia po humbet pagesën e borxhit të saj të jashtëm.
Tashmë bëhet fjalë për një borxh prej rreth 100 milionë dollarësh që kishte skaduar në fund të majit. Rusia e kishte shtyrë atë pagesë deri të dielën. Nëse nuk jeni në gjendje të paguani, vendi kërcënohet me falimentim. Ai falimentim është i rëndësishëm kryesisht për kreditorët që kanë mbetur pa para.
Agjencia e lajmeve Bloomberg raportoi të hënën se Rusia kishte pezulluar zyrtarisht pagesat e saj. Agjencia nuk i referohet ndonjë burimi specifik. Bankat, siç citon Bloomberg, thonë se pritet që kreditorët të mos marrin asnjë masë të menjëhershme.
Sipas BBC-së britanike, Rusia do të kishte bërë të pamundurën për të paguar, pasi pezullimi i pagesave perceptohet si një humbje e madhe prestigji.
Bloomberg shkruan se pagesat e anuluara tregojnë se sa shpejt Rusia është dëbuar ekonomikisht, financiarisht dhe politikisht. Letrat me vlerë të qeverisë ruse janë tregtuar në nivele tmerrësisht të ulëta që nga marsi, aktivet në bankat e huaja janë ngrirë dhe bankat kryesore janë përjashtuar nga sistemi global i pagesave.
Agjencia e lajmeve, megjithatë, në raportin e saj thekson se pagesat e anuluara kanë rëndësi më shumë simbolike. Rënia ekonomike në Rusi dhe inflacioni i lartë i vendit janë probleme dukshëm më të këqija dhe më konkrete.
Në Moskë ka para për të paguar borxhet, por fondet janë në rubla ruse ose juan kinez, monedha që nuk pranohen nga kreditorët.
Fakti që një shtet bëhet i paaftë për të trajtuar pagesat e tij nuk është i njëjtë me atë kur një kompani falimenton.
Nga pala ruse situata është quajtur farsë dhe është theksuar se nuk është falimentim në kuptimin e vërtetë, pasi Rusia ka edhe para edhe vullnet për të paguar.























