Arrestohet në Moskë një politikan i njohur i opozitës ruse
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKlive
Politikani i njohur i opozitës ruse Ilia Jashin (Ilya Yashin) është arrestuar në Moskë, ka konfirmuar avokati i tij.
Jashin është një politikan i zgjedhur në nivel komunal, në Moskë dhe ka kritikuar drejtpërdrejt pushtimin e Rusisë në Ukrainë.
Sipas avokatit ai akuzohet se ka kundërshtuar policinë.
Një gjykatë në Moskë pritet të martën të vendosë nëse do ta burgos ose jo Jashinin. Ai, gjithashtu, mund të vendoset në arrest shtëpiak për 15 ditë.
Bëhet e ditur se Jashini nuk ishte lejuar të takohej me avokatin e tij në mëngjes.
Përmes një mesazhi të tij në Twitter të martën në mëngjes, Jashin tha se ishte duke shkuar për në një seancë gjyqësore.
Por, siç bëhet e ditur nga një mik i Jashinit, ai u arrestua të hënën vonë, teksa ishte në një park në Moskë me të.
"Thonë se ai ofendoi (policinë) dhe shau kur u arrestua. Kjo nuk është e vërtetë", ka shkruar shoqja e Jashinit, Irina Bablojan.
Jashin u bë i njohur për protestat 2011-2012 kundër presidentit Vladimir Putin.
Ai është një aleat i figurës së burgosur të opozitës Alexei Navalny dhe një mik i ngushtë i liderit të opozitës Boris Nemtsov, i cili u vra në Moskë.























