Kryeministrja suedeze: ‘Nuk ekstradojmë kurrë shtetas suedezë’(E plotësuar)
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKlive
Kryeministrja Magdalena Andersson ka komentuar lidhur me kërkesën e Turqisë për të ekstraduar 33 persona, që sipas saj janë terroristë.
“Gjithçka ka të bëjë me atë që Turqia ka për informacion për këta njerëz. Por nëse ata kanë një informacion të tillë që është shqyrtuar nga autoritetet suedeze, që i bën ata të dëbohen përmes legjislacionit”, kjo do të ndodhë.
Por ajo siguroi se Suedia nuk ekstradon shtetas suedezë.
“Ne kurrë nuk ekstradojmë shtetas suedezë”.
(E plotësuar 12:32) Turqia kërkon ekstradimin e 33 personave nga Finlanda dhe Suedia
Turqia po i kërkon Finlandës dhe Suedisë që të ekstradojnë dhjetëra të dyshuar për "terrorizëm" në Turqi, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar nga vendet të martën.
Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha për mediat turke se ai dëshironte "ekstradimin e terroristëve sipas një marrëveshjeje të re", njoftojnë mediet e huaja.
Sipas ministrit, Turqia synon të kërkojë ekstradimin e 12 personave nga Finlanda dhe 21 personave nga Suedia. Ata që kërkohen të ekstradohen ose i përkasin grupit kurd PKK ose janë ndjekës të teologut turk, Fethullah Gulen.
Turqia fajëson Gulenin dhe ndjekësit e tij për planifikimin e përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016.
Sipas “Daily Sabah”, e cila është e afërt me administratën turke, këto nuk janë domosdoshmërisht kërkesa të reja ekstradimi.
Sipas gazetës, Turqia të paktën "i kujton" Finlandës dhe Suedisë kërkesat e mëparshme. Sipas saj, Bozdag thotë se është në pritje të një përgjigje nga Finlanda për kërkesat e gjashtë anëtarëve të PKK-së dhe gjashtë ndjekësve të Gulenit, në Suedi do të kishte të ngjashme për 11 anëtarë të PKK-së dhe 10 gylenistë.
Ndërkaq sipas Zyrës së Presidentit, kërkesat nuk kanë mundur të zgjidhen pasi nuk janë kontaktuar personat.
Në vitet 2019–2022, Finlanda nuk ka rënë dakord të ekstradojë në Turqi njerëz të cilët janë dyshuar ose dënuar për lidhje me organizatat që ata i konsiderojnë si terroriste.
Finlanda, Suedia dhe Turqia nënshkruan një dokument të përbashkët trepalësh të martën. Në të, Finlanda dhe Suedia premtojnë të merren "në mënyrë të papritur dhe tërësisht" me kërkesat e pazgjidhura të deportimit dhe ekstradimit të Turqisë në lidhje me dyshimet për terrorizëm.
Në një konferencë për shtyp të martën, presidenti finlandez Sauli Ninistë (Sauli Niinistö) deklaroi se Finlanda i përmbahet legjislacionit të saj dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
"Dokument-deklarata nuk specifikon në asnjë mënyrë se kush duhet të ekstradohet, por thotë se është e rëndësishme të ndiqen parimet e dakorduara në Konventën Evropiane për Ekstradimin. Në atë konventë, ne jemi të tre të përfshirë," tha Ninistë të martën.























