Nisma e Presidentit Biden për infrastrukturën globale
Rajoni dhe Bota

Nisma e Presidentit Biden për infrastrukturën globale

VoA

Këtë javë, udhëheqësit e G-7 ndërmorën një nismë për infrastrukturën globale me një kosto prej 600 miliardë dollarësh. Udhëheqësit e demokracive më të pasura në botë thonë se kjo do të konkurrojë me nismën kineze “Një brez një rrugë”. Por nga ana tjetër, analistët thonë se ky propozim ambicioz përballet me disa sfida.

Partneriteti i G-7 për Infrastrukturën dhe Investimet Globale planifikon t'u ofrojë vendeve në zhvillim 600 miliardë dollarë financime për infrastrukturën deri në vitin 2027, si një alternativë ndaj nismës kineze "Një brez, një rrugë". Presidenti Joe Biden e shpalosi propozimin gjatë takimit të G-7 në Gjermani.

“Ajo që ne po bëjmë është rrënjësisht ndryshe, sepse bazohet në vlerat tona të përbashkëta, të të gjithë atyre që përfaqësojnë vendet dhe organizatat këtu. Është hartuar në bazë të praktikave më të mira globale: transparencës, partneritetit, mbrojtjes së vendeve të punës dhe mjedisit”, tha Presidenti Biden.

Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një të tretën e fondeve dhe pjesa tjetër vjen nga vendet e tjera të G-7 përmes investimeve modeste qeveritare dhe duke vendosur standarde të larta të paracaktuara për të tërhequr financime nga sektori privat.

Projekti është një ringjallje e planit të njoftuar një vit më parë nga udhëheqësit e vendeve të G-7, për të ndërtuar një botë më të mirë. Analisti Dan Hamilton, me Institutin Brookings, thotë për Zërin e Amerikës se Perëndimi duhet të kishte vepruar vite më parë për të zgjeruar ndikimin.

“Perëndimi ka qënë i përgjumur për vite me radhë, kur flasim për shfrytëzimin e lidhjes së infrastrukturës si një mjet për të zgjeruar ndikimin e politikës së jashtme. Dalja tani me një projekt të përbashkët i jep shtytje kësaj ideje”.

Plani i G-7 do të përqendrohet tek lidhjet dixhitale, barazia gjinore, siguria shëndetësore, klimatike dhe energjetike, fusha ende të pa dominuara nga investimet kineze.

G-7 thotë se projekti është alternativë më e mirë se nisma kineze, e kritikuar si “diplomaci që të zhyt në borxhe”, e përdorur nga Pekini për të zgjeruar ndikimin.

Por për disa vende, përmbushja e standardeve perëndimore për punën dhe mjedisin mund të jetë sfiduese .

Analisti Lucas Myers me Qendrën Wilson , thotë për Zërin e Amerikës se vendet në zhvillim duan të kenë një infrastrukturë sa më parë të jetë e mundur, dhe përparësia e tyre nuk qëndron tek përmbushja e standardeve perëndimore në shumë fusha.

“Lehtësia e investimeve kineze i bën ato mjaft tërheqëse, sepse në fund të fundit, një vend në zhvillim dëshrion të ketë infrastrukturë sa më parë të jetë e mundur”.

Pekini e kritikoi iniciativën e G-7.

“Kundërshtojmë lëvizjet me prapravijë gjeopolitike dhe njollosjen e nismës ‘Një brez një rrugë’ në emër të nxitjes së zhvillimit të infrastrukturës”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Afro 150 vende janë bërë pjesë e nismës kineze gjatë nëntë viteve që kur ajo filloi. Deri tani, 2600 projektet e tyre kanë një vlerë të kombinuar prej 3.7 trilionë dollarësh, sipas firmës së të dhënave analitike “Refinitiv”.


Eurokoha
Vjosa
APR