Bashkimi Evropian koordinon përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës
Rajoni dhe Bota

Bashkimi Evropian koordinon përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës

VOA

Bashkimi Evropian do të krijojë një platformë për të koordinuar përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë, tha të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Platforma do të përdoret për të piketuar nevojat për investime, për të koordinuar veprimet dhe për të kanalizuar burimet, tha presidentja von der Leyen

"Që nga fillimi i luftës, Bashkimi Evropian ka mobilizuar rreth 6.2 miliardë euro mbështetje financiare," tha zonja von der Leyen. "Më shumë fonde do të vijnë. Ne do të angazhohemi në mënyrë thelbësore në rindërtimin afatmesëm dhe afatgjatë të Ukrainës", shtoi Presidentja e Komisionit Evropian.

Platforma do të bashkojë vendet, institucionet, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Ajo do të përfshijë gjithashtu organizata ndërkombëtare si Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane të Investimeve.

Banka Evropiane e Investimeve, krahu huadhënës i Bashkimit Evropian, po propozon një strukturë financimi të përdorur më parë gjatë pandemisë COVID-19 për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës me deri në 100 miliardë euro investime, njoftoi sot agjencia Reuters.

"Përmes platformës së rindërtimit, Komisioni Evropian mund të ofrojë ekspertizën e tij të gjerë në drejtimin e programeve që kombinojnë reformën dhe investimet", tha zonja von der Leyen.

"Përveç kësaj, ne kemi punuar ngushtë me Ukrainën për një kohë të gjatë. Dhe kjo punë do të intensifikohet vetëm tani që Ukraina është bërë zyrtarisht një kandidate për t'u bashkuar me ne".

Evropa ka një përgjegjësi të veçantë dhe një interes strategjik për të qenë në anën e Ukrainës, shtoi ajo.

“Qëllimi i Kremlinit është shkatërrimi ushtarak, politik dhe ekonomik i Ukrainës”, tha ajo. "Ata duan të minojnë vetë ekzistencën e Ukrainës si shtet. Ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë".


APR
Romay Lift