“Shtrëngohet” Shkupi, sonte pritet protestë më e madhe e opozitës
Jeton Musliu / RTKlive
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, ka ndërmarrë të gjitha masat që protesta e paralajmëruar e opozitës, që do të mbahet sonte në Shkup, të mos eskalojë.
Zyrtarë të MPB-së deklaruan se policia posedon plan operativ për neutralizimin e protestave të dhunshme.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski duke mos ndarë më shumë hollësi ngriti alarmin se sot planifikohet diçka që nuk i ngjan një vendi anëtar të NATO-s dhe vend aspirant për në BE. Megjithatë, ai nuk dha detaje të tjera.
Protestat e sotme pritet të nisin para Qeverisë, vazhdojnë para Ministrisë së Jashtme dhe planifikohet të përfundojnë para Kuvendit.
Protesta e thirrur nga VMRO-DPMNE në opozitë, është për ta refuzuar propozimin francez për zhbllokimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Shumë protestues kanë qëndruar gjatë tërëe ditës duke protestuar ndërsa në mbrëmje janë paralajmëruar edhe tubime të reja.
Në protestat e mbrëmjes së kaluar kur protestuesit dhunshëm thyen kordonin e parë të policisë para Qeverisë dhe Kuvendit mbetën të lënduar katër policë, ndërsa policia thotë se po punohet për zbardhjen e rasteve dhe kapjen e të dyshuarve për dhunë.
Rreth godinës së qeverisë është vendosur një gardh mbrojtës dhe është e dukshme edhe siguria e shtuar e policisë.
Në fillim të protestës, pjesëmarrësit brohoritën “Dorëheqje”, “Maqedoni”, “Kurrë e Veriut vetëm Maqedoni”.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, në protestë deklaroi se propozimi i pranuar nga qeveria e Kovaçevskit është i papranueshëm për shtetin.
“Ky propozim për fillimin e negociatave është i dëmshëm për Maqedoninë dhe çon në dy skenarë, njëri prej të cilëve është më i keq për Maqedoninë. Njëra është negociata e përjetshme dhe e dyta është asimilimi nën diktatin e Bullgarisë”, deklaroi Kovaçki.
Protesta zyrtarisht nuk ka organizator, por mbështetet nga partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët mendojnë se propozimi është jashtëzakonisht i keq për popullin maqedonas dhe interesat kombëtare maqedonase.