PES mbështet ambiciet evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Rajoni dhe Bota

PES mbështet ambiciet evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

ATSH

Partia e Socialistëve Evropianë (PES) mbështet fuqimisht ambiciet evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është koha për të çuar përpara procesin e zgjerimit, thuhet në deklaratën e PES-it.

“Angazhimi i Evropës ndaj Ballkanit Perëndimor është vendimtar në një kohë të pasigurisë së madhe globale. Ne duhet të ruajmë besueshmërinë e politikës sonë të jashtme dhe të sigurojmë progresin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në demokraci, ligjin e së drejtës dhe prosperitetin ekonomik”, sipas deklaratës.

“Të dy vendet kanë ndërmarrë reforma thelbësore për të çuar përpara bisedimet e tyre të pranimit. Ata janë lidhur gjithashtu me regjimin e sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse. Çdo vonesë e mëtejshme do të rrezikonte seriozisht të cenonte progresin e konsiderueshëm dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore të arritura deri në këtë pikë”, sipas PES.

“Ky proces ka një rëndësi të madhe kombëtare si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut dhe PES u bën thirrje të gjithë aktorëve kombëtarë që të ndërtojnë pjesëmarrjen e tyre në diskutimin publik mbi argumente të forta dhe të vërtetën objektive, dhe jo mbi oportunizmin politik dhe ndjenjat nacionaliste”, thuhet në deklaratë.

“PES po monitoron nga afër zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe ne shprehim solidaritetin tonë me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut. Ne e kuptojmë plotësisht zhgënjimin në rritje në rajon dhe mbetemi në kontakt të ngushtë me partitë tona simotra dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me to në Bruksel”, sipas PES.

“PES është e përkushtuar të mbështesë procesin e zgjerimit në çdo nivel. Kryeministrat tanë kanë një rol qendror për të luajtur në mbështetjen e politikës së zgjerimit. Ne përgëzojmë përpjekjet e tyre për të lehtësuar procesin, siç tregoi së fundmi kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor”, përfundon deklarata.


APR
Romay Lift