PE për Serbinë: Urgjent të harmonizojë qëndrimin me BE-në ndaj Rusisë
Foto: PE
Rajoni dhe Bota

PE për Serbinë: Urgjent të harmonizojë qëndrimin me BE-në ndaj Rusisë

Jeton Musliu / RTKlive

Sa i përket Serbisë, Parlamenti Evropian mirëpret faktin që anëtarësimi në BE vazhdon të jetë qëllimi strategjik i këtij vendi, ndërsa shpreh keqardhje për mungesën e progresit dhe madje edhe kthimin prapa në çështjet që janë thelbësore për anëtarësimin në BE.

Duke vlerësuar kthimin në një parlament më pluralist pas zgjedhjeve në Serbi më 3 prill 2022, deputetët bëjnë thirrje për përparim në sundimin e ligjit, të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, forcimin e pluralizmit mediatik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Raporti, i miratuar me 523 vota pro, 78 kundër dhe 34 abstenime, shpreh keqardhjen e madhe që Serbia nuk është përafruar me sanksionet e BE-së pas agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe u bën thirrje autoriteteve të sapo zgjedhura që urgjentisht të harmonizohen me vendimet e BE-së kundër Rusisë.

“Pas zgjedhjeve të prillit 2022 dhe luftës së agresionit të Rusisë, ekziston një ndjenjë e vërtetë se partnerët tanë në Serbi duhet të ecin përpara me vendosmëri në rrugën e tyre evropiane”, tha  raportuesi për Serbinë në PE, Vladimír Bilčík.

Sipas tij, raporti pasqyron faktikisht realitetin kompleks politik në Serbi dhe inkurajon të gjitha forcat pro-evropiane në vend që të fokusohen plotësisht në përparimin në reformat e sundimit të ligjit, në dialogun Beograd-Prishtinë dhe në harmonizimin me pozicionet ndërkombëtare të BE-së.

“Vërejmë se mund të bëhet shumë më tepër në mënyrë që Serbia të ecë drejt BE-së. Jam i gatshëm të angazhohem me udhëheqjen e re në Beograd për të punuar për një të ardhme evropiane për Serbinë”, tha ai.

Anëtarët e PE-së  shprehin shqetësimin për përhapjen e dezinformatave dhe u bëjnë thirrje autoriteteve serbe dhe Komisionit Evropian që të luftojnë dezinformimin, propagandën ruse dhe kërcënimet e tjera hibride në Ballkanin Perëndimor.

 


APR
Romay Lift