Maqedoni e Veriut, Ahmeti: Votoni në të mirë të vendit, drejt integrimit
Muharrem Miftari/RTKlive
Në Kuvendin e Maqedonisë po mbahet debat për propozimin francez për zgjidhjen e kontekstit me Bullgarinë, të cilët prej kohësh kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit, e të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm e Maqedonisë së Veriut në BE.
Ndërkaq për këtë çështje, përmes postimit në Facebook ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili është shprehur se në këto çaste vendimtare për ardhmërinë e vendit, po ju shkruaj nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku bashkë me kolegët deputetë kemi mbi supe përgjegjësinë madhore për të vendosur se a do të vazhdojë apo jo vendi ynë hapërimin drejt rrugës së integrimit.
Tutje ai shtoi se të qarta dhe shumë decide ishin sot deklarimet e kryetares së Komisionit Europian, znj. Ursula von der Leyen, për përkrahjen që na japin të gjitha shtetet e Europës, për përmbajtjen e propozimit të presidencës franceze që nuk cënon në asnjë mënyrë tiparet e identitetit gjuhësor, kulturor dhe historik të bashkëqytetarëve tanë maqedonas.
“Bashkë kemi ndërmarrë vendime të rëndësishme që u dëshmuan të dobishme për të gjithë ne, prandaj këto ditë le të reflektojmë thellë dhe le të vulosim ardhmërinë tonë europiane. EUROPA NA PRET!”, ka shkruar mes tjerash, Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.
Vlen të theksohet se të gjitha partitë shqiptare mbështesin propozimin francez dhe do të votojnë për miratimin e tij.























