Konfirmohet: Avioni i rrëzuar në Greqi po transportonte armë nga Serbia
REL
Avioni ukrainas, që u rrëzua të shtunën vonë në Greqi, po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Bangladesh, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq. Duke folur në një konferencë për media,
Stefanoviq konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe "Valir", raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Stefanoviq tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera. Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.
Stefanoviq i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”. Avioni Antonov, që operohej nga një linjë ajrore e Ukrainës, u rrëzua të shtunën vonë pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore.
Rrëzohet një avion mallrash i Ukrainës, pasi u nis nga Serbia
Një avion mallrash, Antonov, që operohej nga një linjë ajrore e Ukrainës, u rrëzua të shtunën vonë pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore, raporton Associated Press.
Në bord ndodheshin tetë persona, raporton Reuters, duke u bazuar në informacionet nga zjarrfikësit dhe televizioni shtetëror i Greqisë.
Nuk është ende e qartë se çfarë ngarkese kishte avioni, derisa autoritetet nisën hetimet në vendin e ngjarjes.
“Ne po e trajtojmë ngarkesën si një material të rrezikshëm”, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve, transmeton Reuters.
Sipas kësaj agjencie lajmesh, autoritetet greke të aviacionit civil njoftuan se avioni po fluturonte nga Serbia për në Jordani.
Gjithashtu thuhet se avioni ishte i kompanisë Meridian.
Sipas disa raporteve, piloti arriti t’i informonte autoritetet për një problem në njërin nga motorët e avionit.
Atij, më pas, iu kërkua të aterojë në aeroportin e Selanikut ose Kavallës, raportojnë mediat.
Pasi mori drejtimin për në Kavallë, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit të këtij qyteti, tha Autoriteti i Aviacionit Civil grek.
Rrëzimi i avionit u konfirmua edhe nga Flightradar.24 - një sistem që gjurmon avionët në kohë reale.
“Një aeroplan mallrash Meridian An-12BK u rrëzua pranë Kavallës në Greqi, në rrugën nga Nishi për në Aman”, tha Flightradar.24.
Vendasit raportuan se kishin parë një top zjarri. Shpërthimet shkaktuan spekulime mes banorëve dhe disa mediave greke se avioni transportonte eksploziv.
Transmetuesi shtetëror, ERT, raportoi se ekspertët ushtarakë të eksplozivëve janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.























