Zjarrfikësit në Kaliforni po përballen edhe me terrene të vështira
Hanife Osmani/RTK
Kalifornia po ballafaqohet me javën e tretë të emergjencës nga zjarret që kanë kapluar pjesë të ndryshme. Ekipet emergjente nga ajri dhe toka po bëjnë të pamundurën edhe në terrene mjaft të vështira për ta lokalizuar zjarrin dhe për t`i evakuuar banorët.
Temperaturat e larta dhe thatësia në male vazhdojnë të jenë shkas i përhapjes së zjarreve. Puna e zjarrfikëseve çdo ditë po bëhet edhe më e vështirë, si pasojë e terreneve të vështira në ngjitje të maleve dhe kodrave, në të cilat përdorimi I mjeteve lëvizëse është i pamundur. Në rrethana të tilla, zjarrfikësit detyrohen të ngjiten në këmbë në këto lartësi disa herë në ditë, me pajisje të nevojshme në çantat e tyre 30 kg të rënda, konfirmoi Rik Carhard nga departamenti i zjarreve në Kaliforni.
“Orët në vazhdim janë vendimtare, kemi nevojë për helikopter për hedhjen e ujit në hapësirat e nxehta, po ashtu edhe për dërgimin e ekipeve në lokacione përkatëse”, ka thënë Carhard.
Rreziku nga rrëshqitja gjatë kalimit të shkëmbinjve, si dhe tymi i përhapur, po ua vështirëson zjarrfikësve edhe pamjen. Për parandalimin e shpërndarjes së flakëve në vendet e tjera, zjarrfikësit ujisin tokën e thatë disa herë, madje në shumë raste detyrohen të presin edhe drunjtë e djegur.
Ndër të tjera, Jerry Habbit, kapiten i brigadës së zjarrfikësve të pyllit, tha se në rast të erërave, zjarret kanë gjasë të kalojnë linjat dhe të dalin jashtë kontrollit, kësisoj është i domosdoshëm reagimi i shpejtë dhe ndihma me helikopter.























