Liverpooli fiton Superkupën e Anglisë, e mposht Man. Cityn
B. Halimi / RTKlive
Triumfi i Liverpoolit ndaj Manchester Cityt, me rezultat 3:1 në ndeshjen e Superkupës së Anglisë, paralajmëroi një tjetër sezon emocionues në kampionatin anglez.
Ndeshja e Superkupës dhuroi spektakël të vërtetë, ku të dyja skuadrat shfaqën lojë shumë të mirë, por që në fund fitores iu gëzua skuadra e Liverpollit, me shifrat 3:1.
Trent Alexander-Arnold i zhbllokoi shifrat në minutën e 21-të, duke e kaluar Liverpoolin në epërsi. Julián Álvarez e riktheu baraspeshën në rezultat me golin e tij të parë për "Qytetarët" në minutën e 70-të.
Megjithatë, skuadra e Jurgen Klopp reagoi shumë shpejtë dhe kaloi në epërsi me golin e Mohamed Salah nga penalltia, në minutën e 83-të, pasi paraprakisht blerja e re e "Të kuqve", Darwin Nunez fitoi penallti. E ky i fundit realizoi edhe gol në minutën e 94-t, duke e vendosur rezultatin përfundimtar 3:1 dhe duke dëshmuar se do të jetë idhulli i ri i tifozëve të kuq.























