FC Prishtina bëhet me kryetar të ri
B. Halimi / RTKlive
Klubi më i madh në futbollin kosovar, FC Prishtina, të mërkurën, ka zgjedhur kryetarin e ri.
Drejtimin e klubit bardhekaltër e ka marrë biznesmeni Hakif Gashi, i cili në këtë pozitë do ta zëvendësojë Remzi Ejupin, i cili i priu klubit më të trofeshëm për 18 vjet radhazi.
“Bordi i FC Prishtinës e ka mbajtur ditën e sotme mbledhjen e radhës. Me këtë rast, kryetar i klubit është zgjedhur Hakif Gashi. Gashi tash e shumë vite është një nga aksionarët e klubit tonë. Anëtarë të Bordit të ri teknik janë Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu, Ismet Begolli dhe Hakif Gashi”, thuhet në njoftimin e klubit bardhekaltër.
FC Prishtina ka dështuar ta fitojë titullin e kampionit në 100-vjetorin e themelimit, e madje nuk ka arritur ta sigurojë as pjesëmarrjen në garat evropiane, gjë e cila i ka ndodhur për herë të parë pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.
Klubi bardhekaltër kishte telashe të mëdha financiare në edicionin e kaluar, e që nga mediat raportohej se ndodhte si pasojë e mosmarrëveshjeve të dy aksionerëve kryesorë, Remzi Ejupi e Rrahman Haradini.
Tani pas emërimit të kryetarit të ri, klubi kryeqytetas, synon këndelljen dhe paraqitjen sa më mirë në edicionin e ri në Superligë nën drejtimin e trajnerit Ismet Munishi.























