Muja: Faleminderit familja e madhe FC Drita!
Sport

Muja: Faleminderit familja e madhe FC Drita!

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Futbollisti kosovar Arbnor Muja sot zyrtarisht është prezantuar tek skuadra belge, Antwerp.

Muja tek klubi i madh belg u transferua nga FC Drita. Djali nga Mitrovica, ka bërë super-paraqitje tek skuadra gjilanase, sidomos në sfidat e Dritës në garat evropiane.

Drita pikërisht nga Antwerp u eliminua nga Liga e Konferencës. Megjithatë, performanca e mirë e Mujës ra në sytë e skuadrës belge, ku tashmë kosovari edhe zyrtarisht është pjesë e këtij klubi.

Muja përmes llogarisë së tij në Facebook, ka falënderuar FC Dritën për periudhën që ka kaluar tek kjo skuadër. Ai thotë së ndihet mirë që po prek ëndrrën e tij.

“Është emocion i madh të shkruash për një ndarje, emocion akoma më i madh është kur nga ky klub po realizoj një ëndërr që shpresoj ta jetësoj deri në fund të karrierës time.

Për rrugëtimin tim deri këtu dua të falendëroj gjithë ata që më kanë mbështetur, klubin FC Drita, presidentin e drejtuesit e klubit, trajneri Ardijan Nuhiji, stafin e trajnerëve dhe stafin mjekësor, bashkëlojtarët dhe të gjithë punëtorët e tjerë të klubit.

Gjithashtu dua të falënderoj ata që më kanë dhënë zemër gjithmonë në fushë, INTELEKTUALËT, faleminderit shumë për mbështetjen që më keni dhënë, nga sot keni dhe një anëtar të ri në mesin tuaj, gjithmonë do jem përkrahës i Dritës. Për fund dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe më kanë mbështetur që nga dita e parë, uroj të ju bëjë krenar gjithmonë”, ka shkruar Muja.

Muaj është talenti i radhës që i bashkohet lojtarëve të shumtë kosovarë që militojnë në klubet e ndryshme evropiane. 


APR
Romay Lift