Tajvani: Stërvitjet ushtarake të Kinës duket se po simulojnë sulm
Rtklive
Foto: REL
Rajoni dhe Bota

Tajvani: Stërvitjet ushtarake të Kinës duket se po simulojnë sulm

REL

Tajvani ka thënë se Kina është duke kryer stërvitje ushtarake të cilat duket se po simulojnë një sulm në këtë ishull që vetëqeveriset.

Këto veprime të Pekinit po shihen si përgjigje ndaj vizitës që ka kryer në Tajvan udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi.

Vetë Pekini e ka quajtur vizitën e zyrtares amerikane si provokim.

Ministria për Mbrojtje Kombëtare ka thënë më 6 gusht se forcat e armatosura të Tajvanit kanë lëshuar një alarm dhe kanë dërguar patrulla ajrore dhe detare rreth ishullit, si dhe kanë aktivizuar sistemin raketor tokësor, si përgjigje ndaj manovrave kineze.

Sipas ministrisë, 20 aeroplanë kinezë dhe 14 anije kanë vazhduar të kryejnë stërvitje në det dhe ajër rreth Ngushticës së Tajvanit më 6 gusht.

Ky institucion ka thënë po ashtu se veprimet e Pekinit “kanë dëmtuar seriozisht paqen”, duke shtuar se ushtria e Tajvanit nuk synon luftë, mirëpo është e përgatitur dhe do të përgjigjet nëse është e nevojshme.

Ministria e Mbrojtjes në Kinë ka thënë se ka kryer stërvitje ushtarake – siç i ka planifikuar – në det dhe hapësirat ajrore ne veri, jugperëndim dhe lindje të Tajvanit, “për të testuar kapacitetet” e sistemeve të saj për sulme tokësore dhe detare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dënuar stërvitjet ushtarake kineze afër Tajvanit, duke i konsideruar si “përshkallëzim të konsiderueshëm” dhe ka thënë se “nuk ka arsye” për veprime të tilla.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota