Varianti i ri i virusit është zbuluar në Kinë
Përktheu: Muharrem Miftari/RTKlive
Rreth 30 persona në Kinë janë infektuar me një variant të ri të virusit henipa.
Sipas shkencëtarëve kinezë, virusi është përhapur nga kafshët te njerëzit,që mund të transmetohet edhe mes njerëzve.
Raportet e personave të infektuar, që kanë ardhur tani, kanë të bëjnë me pacientë në provincat Shandong dhe Henan, të vendosura përkatësisht në Kinën Lindore dhe Qendrore. Janë zbuluar gjithsej rreth 35 raste, por ende askush nuk është sëmurë rëndë.
Virusi i ri “langya henipa” i përket një familjeje henipavirusësh që janë njohur prej kohësh si të rrezikshëm për njerëzit. Virusi shfaqet kryesisht te kafshët në Bangladesh, Malajzi dhe Australi, por raportohen rregullisht shpërthime të vogla midis njerëzve.
“Viruset në këtë familje mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshëm për njerëzit, sepse mund të sulmojnë trurin dhe të shkaktojnë encefalit, inflamacion të trurit. Është e vështirë të thuhet se sa e lartë është shkalla e vdekshmërisë, sepse baza është shumë e vogël për të nxjerrë përfundime të mira”, thotë Ali Mirazimi, profesor ndihmës dhe studiues i viruseve në Institutin Karolinska.
Simptoma të lehta
Rastet e reja të zbuluara në Kinë janë përshkruar në revistën shkencore “New England Journal of Medicine”.
Sipas shkrimit, të infektuarit nuk kanë pasur kontakt me njëri-tjetrin dhe me gjasë janë infektuar në vende të ndryshme.
Nga gjithsej 35 raste të zbuluara, 26 kanë shfaqur simptoma. Më të shpeshta janë ethet, pastaj lodhja, kolla, dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe të përziera.
“Meqenëse shumica e njerëzve që janë testuar për henipavirus, ndoshta kanë kërkuar kujdes mjekësor, sepse nuk ndihen mirë, mund të ketë shumë që infektohen, marrin vetëm simptoma të lehta të ftohjes, por që nuk janë testuar dhe regjistruar. Ne kemi mësuar nga korona se i njëjti virus mund të shkaktojë simptoma shumë të ndryshme. Disa nga henipaviruset gjenden, ndër të tjera, te lakuriqët e natës dhe përhapen prej tyre te kafshët e tjera. Minjtë e drurit, dhitë dhe qentë janë ndër kafshët që janë gjetur të infektuara. Se si transmetohet infeksioni nga kafshët te njerëzit nuk është plotësisht e qartë”, tha Ali Mirazimi,por që, sipas tij, ka gjasa të jetë kontakt i ngushtë. Ai thekson se njohuritë se cilat kafshë bartin langya henipa dhe si transmetohet është e pamjaftueshme.
Infeksioni i derrave
“Derrat e infektuar me nipavirus, i cili është një variant i henipavirusit, marrin simptoma të frymëmarrjes dhe më pas mund të transmetohet te njerëzit që janë pranë kafshëve. Por mund të transmetohet edhe mes njerëzve, edhe pse duket se nuk transmetohet aq lehtë. Bëhet fjalë ndoshta për infeksion nëpërmjet lëngjeve të trupit, thotë Ali Mirazimi.
Sot nuk ka ilaçe apo vaksina kundër henipavirusit, por kërkimet janë në vazhdim. Por ata që janë në vendet nordike nuk duhet të shqetësohen, shton ai.
“Kushdo që udhëton në Malajzi, Bangladesh apo rajone të caktuara të Kinës duhet, megjithatë, t'u kushtojë vëmendje simptomave, thotë Mirazimi.
Sipas Autoritetit të Kontrollit të Infeksionit në Tajvan, analizat tani do të zhvillohen për të ndjekur një përhapje të mundshme të virusit.























