Ngrohja e Arktikut katër herë më e shpejtë se mesatarja globale
BKT
Rajoni dhe Bota

Ngrohja e Arktikut katër herë më e shpejtë se mesatarja globale

ATSH-DPA

Ngrohja globale  për shkak të ndryshimit të klimës e ka prekur Arktikun shumë më tepër se sa mendohej më parë, kanë zbuluar së fundmi shkencëtarët finlandezë.

Sipas një studimi të realizuar nga shkencëtarët e Institutit Finlandez të Meteorologjisë në Helsinki, rajoni i Arktikut është ngrohur thuajse katër herë më shpejt se sa mesatarja globale në 43 vitet e fundit.

Pjesë të caktuara të Oqeanit Arktik madje janë ngrohur shtatë herë më shpejt krahasuar me planetin në tërësi. Sipas studiuesit Mika Rantanen,  modelet e klimës e kanë nënvlerësuar deri më sot të ashtuquajturin efekt i amplifikimit polar.

Studimet e kaluara kanë zbuluar se Arktiku po ngrohej dy herë më shpejt se rajonet e tjera, por një grup pune i Këshillit të Arktikut, me seli në Tromso të Novergjisë, raportoi në maj të vitit të kaluar se rritja e temperaturës sipërfaqësore të Arktikut në periudhën mes viteve 1971 dhe 2019 ishte 3,1 gradë Celsius, ose rreth tre herë më e lartë se sa mesatarja globale.

Shkencëtarët finlandezë e argumentojnë zbulimin  e tyre me rritjen e fortë dhe të vazhdueshme të ngrohjes së Arktikut, por edhe me përkufizimin e vetë Arktikut si rajon – e gjithë zona brenda Rrethit të Arktikut – si edhe me faktin që ata i marrin parasysh llogaritjet duke nisur nga viti 1979, viti kur të dhëna më të hollësishme dhe më të besueshme filluan të siguroheshin falë imazheve satelitore.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota