Shpërthime të reja në Krime
Luan Qorraj / RTK
Një depo e madhe e municionit rus si dhe një depo e armatimit në Krime janë shkatërruar nga zjarret dhe shpërthimet e fuqishme.
Përderisa autoritetet ruse thonë se incidentet kanë qenë "aksidente"- mediumet dhe analistët perëndimor insistojnë se shpërthimet kanë qenë vepër e forcave të armatosura ukrainase.
Një javë pas sulmeve masive në bazën ajrore ruse në Krime, është raportuar edhe për së paku dy incidente të mëdha në gadishullin e okupuar. Sipas njoftimeve, një depo e madhe e municionit rus si dhe një depo e armatimit, shpërthyen, apo u shkatërruan nga zjarret . Mediumet perëndimore si dhe një numër i madh i analistëve ushtarak menjëherë kanë thënë se siç duket, edhe prapa këtyre incidenteve qëndrojnë apo aviacioni apo forcat speciale të Ukrainës por Kievi zyrtar, deri më tani, nuk ka komentuar rreth ngjarjeve, por disa diplomatë u kanë deklaruar mediave se kjo ka qenë pjesë e "aksionit për demilitarizimin e Krimesë.
Ndërkohë, autoritetet ruse, të cilat fillimisht thanë se së paku njëri prej shpërthimeve ka qenë pasojë e "sabotazhit" ndryshuan versionin duke deklaruar se zjarret dhe shpërthimet masive kanë qenë pasojë e "zjarreve elektrike" .
Edhe pse KIevi nuk ka pranuar se qëndron prapa këtyre ngjarjeve shpërthimet i kanë të gjitha shenjat e sulmeve të deritanishme ukrainase ndaj logjistikës ruse, thellë prapa vijave të frontit sipas të gjitha gjasave duke përdorë armë të avancuara perëndimore.























