Trepça organizon kualifikueset e FIBA Europe Cup
Rtklive
Sport

Trepça organizon kualifikueset e FIBA Europe Cup

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Klubi i njohur kosovar, KB Trepça do të jetë organizatore e kualifikueseve të FIBA Europe Cup.

Këtë e ka konfirmuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), përmes një njoftimi.

“Të mërkurën janë shpallur nikoqirët e katër Turneve Kualifikuese, që do të ndajnë biletat e fundit të mbetura për edicionin 2022-2023 në FIBA ​​Europe Cup. Nënkampionia e Kosovës, Trepça do të jetë organizatore e Turneut A. Mitrovicasit do të përballen me BG Gottingenin e Gjermanisë në çerekfinale, kurse në gjysmëfinale i pret Sporting CP e Portugalisë. Thor Thorlakshofn i Islandës do të ndeshet me Petrolina AEK në ndeshjen tjetër çerekfinale, me fituesin që do të përballet më pas me Telenet Giants Antwerp të Belgjikës”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Tutje në njoftim thuhet se ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen më 27 Shtator, gjysmëfinalet më 28 Shtator dhe finalet më 30 Shtator.

“Kjo është hera e parë që mitrovicasit garojnë në FIBA Europe Cup dhe organizojnë një ngjarje të tillë”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Turneu B do të zhvillohet në Lituani, ku Cbet Jonava do të jetë mikpritëse dhe do të përballet me SCMU Craiova të Rumanisë në përballjen e parë çerekfinale. Fituesi do të përballet me Kapfenberg Bulls në gjysmëfinale, ndërsa në gjysmëfinalen tjetrën Sigal Prishtina pret fituesin e përballjes çerekfinale mes KK Cedevita Junior të Kroacisë dhe Kalev/Cramo të Estonisë.

Rilski Sportist i Bullgarisë do të presë Turneun C, ndërkohë, klubi francez Cholet Basket do të organizojë Turneun D.

Turnetë kualifikuese:

Turneu A: KB Trepça në: Mitrovicë, Kosovë

Turneu B: CBet Jonava në: Jonava, Lituani

Turneu C: Rilski Sportist në: Samokov, Bullgari

Turneu D: Cholet Basket në: Cholet, Francë

Ditët e ndeshjeve:

27 shtator – çerekfinale

28 shtator – gjysmëfinale

30 shtator 2022 - finale 


MË SHUME NGA Sport