Manchester United ëndërron Casemiron
Sport

Manchester United ëndërron Casemiron

RTSH

Manchester United duket se nuk i ka mbyllur ende “llogaritë” me merkaton.

Duke parë edhe nisjen zhgënyese në kampionat, anglezët po projektojnë një operacion të bujshëm në tregun e lojtarëve duke pretenduar një prej mesfushorëve më të mirë të Realit të Madridit, Casemiro.

Braziliani, ndonëse është 30 vjeç, pritet të ketë një kontratë “faraonike” nëse pranon të shkoj në ishull.

Josep Pedrerol, drejtuesi i emisionit sportiv “El Chiringuito” dhe një nga njerëzit me më shumë njohuri rreth asaj që ndodh në klubin madrilen, ka zbuluar detajet e kësaj situate që mund të ndryshojë pamjen e të dy klubeve.

“Pas humbjes 4-0, drejtuesit e Manchester Unitedit kanë vendosur që të afrojnë Casemiro dhe kanë kontaktuar nëpërmjet një ndërmjetësi, menaxherin e tij. Reali nuk e ka nxjerrë në shitje dhe nuk ka ndër mend ta nxjerrë, por nëse Casemiro kërkon largimin, për shkak të kontributit që ka dhënë në klub, Reali nuk do t’ia refuzojë.

Casemiro është 30-vjeçar dhe ka një kontratë edhe për tre vite te Reali. Ndërmjetësi i ka bërë të qartë se Manchester United i ofron një kontratë pesëvjeçare, me dyfishin e rrogës që përfiton aktualisht te Real Madrid. Një ofertë e parefuzueshme dhe ndjesia në klubin e Realit është që Casemiro do të pranojë. Gjërat mund të lëvizin shumë shpejt, pasi Manchester United kërkon që të mbyllë gjithçka para të shtunës. Ata duan të nënshkruajnë me lojtarin në mënyrë që ta kenë të gatshëm që për ndeshjen me Liverpoolin që luajnë këtë javë”, tregoi gazetari i njohur spanjoll prapaskenat e kësaj lëvizje të papritur në merkaton e futbollistëve.

Në fakt në Manchester pritej mesfushori tjetër që lunate në Spanjë, De Jong, për të shpëtuar edhe financat e Barcelonës, por refuzimi i lojtarit holandez ka bërë që anglezët të kërkojnë një alternativë tjetër.    


MË SHUME NGA Sport