Casemiro ndahet mes lotësh me Realin: Do të kthehem një ditë!
BKT
Sport

Casemiro ndahet mes lotësh me Realin: Do të kthehem një ditë!

B. Halimi / RTKlive

Futbollisti brazilian Casemiro i ka dhënë sot lamtumirën Real Madridit. Ai i befasoi të gjithë me vendimin e tij për t`u larguar nga Real Madrid dhe për të vazhduar karrierën te Manchester United. Braziliani, sot, i përlotur u ka dhënë lamtumirën “mbretërve”, ku ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme.

Në fillim të konferencës për shtyp, presidenti i klubit Florentino Perez ka falënderuar Casemiron për gjithçka që ka dhënë për Realin dhe i ka thënë se dera e “Santiago Bernabeut” do të jetë gjithmonë e hapur për të.

E Casemiro nuk i fshehi dot lotët pas daljes në foltore, ku dukej qartë se po largohej me zemër të thyer nga Madridi. Në veçanti, Casemiro veçoi partnerët e tij në mesfushë, Luka Modric dhe Toni Kroos.

“Ekipi ka 25 futbollistë, por dua të flas për të dy prej tyre. Më pëlqeu të luaja me Modric dhe Kroos dhe i falënderoj që më bënë një futbollist të tillë. Ne bëmë histori dhe për këtë Real Madridi do të jetë gjithmonë klubi më i madh në botë”, ka theksuar Casemiro.

“Sigurisht se do të kthehem një ditë. Do të vazhdoj të ndihmoj klubin sepse kjo është shtëpia ime. Mësova shumë këtu dhe shpresoj që shumëçka do ta transmetoj te Manchester United. Falënderoj të gjithë, presidentin, shokët e skuadrës dhe tifozët që besuan gjithmonë tek unë”, ka shtuar braziliani.

“Kur erdha këtu nuk e njihja askënd. Unë dhe gruaja ime filluam gjithçka nga e para, por këtu kemi një familje të vërtetë. Klubi besoi në mua dhe as që mund ta imagjinoja sukseset e arritura. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e historisë së klubit më të madh në botë”, ka thënë Casemiro.