Ringjallet Man.United, fiton derbin me Liverpoolin
Blerim Halimi /RTKlive.com
Manchester United ka lënë menjëherë pas humbjen tronditëse nga Brentford, duke festuar në derbin e madh ndaj Liverpoolit me rezultat 2:1. Ky ishte gëzimi i parë i “Djajve të Kuq” nën drejtimin e Eric ten Haag në Premier League.
Strategu holandez tregoi guxim të madh dhe bëri një prerje serioze në skuadër, duke lënë në bankinë Ronaldon, Maguire dhe Shaw, teksa ata që performuan në vend të tyre e justifikuan plotësisht besimin e tij.
United pati paraqitje mbresëlënës në njëzet minutat e para, në të cilat u krijoi telashe të mëdha mysafirëve nga Liverpool, duke bërë presion dhe duke shënuar gol me Sancho dhe duke goditur shtyllën me Elanga.
Me kalimin e kohës, Liverpooli e stabilizoi lojën e tij, por mysafirët vuajtën të krijonë një rast për gol, pasi linja mbrojtëse e Unitedit funksionoi në mënyrë të shkëlqyer (Dalot, Martinez, Varane, Malacia).
Të rinjtë e Klopp vazhduan të luanin në sulm, por lanë shumë hapësirë në pjesën e tyre, të cilën vendasit e shfrytëzuan për të shënuar edhe golin e dytë, me anë të Rashfordit pas asistimit nga Martial.
Liverpooli nuk u dorëzua, kështu që me anë të Salah, nëntë minuta para fundit të ndeshjes arriti ta zvogëlojë disavantazhin në 2:1, por kjo ishte e tëra çfarë arriti të bëjë.
Lojtarët e shumtë të lënduar nuk mund të jenë justifikim për fillimin katastrofik të sezonit të Liverpoolit, me vetëm dy pikë të fituara pas tri xhirove të para. Nënkampioni në fuqi aktualisht ndodhet në pozitën e 16-të në tabelë, që është fillimi më i keq i një sezoni në Premier League, që kur në krye të “të kuqve” është Jurgen Klopp.























