Mbretëria e Bashkuar nën ethe, pret lajme për shëndetin e Elizabeth II
BBC/RTKlive
Mbretëresha Britanike, Elizabeth II ndodhet e shtrirë, si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore.
BBC raporton se pranë saj janë mbledhur e tërë familja. Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Pallati Buckingham ka lëshuar një deklaratë për media, duke njoftuar mbi gjendjen e monarkes 94 vjeçare.
Megjithatë, siç ka komentuar Fergus Walsh, redaktor i çështjeve mjekësore në BBC, deklarata e Pallatit Buckingham, shkon “përtej asaj normale”.
“Pallati ka shkuar më tej se zakonisht në deklarimin tij”, thotë Walsh.
Sipas tij, fjalia kryesore në deklaratën e lëshuar nga Pallati Buckingham më herët, është ajo ku shkruan se; "mjekët ishin të shqetësuar".
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbërritjes së anëtarëve të familjes në Balmoral, ku mbretëresha është e shtrirë, vend ku ajo ka qëndruar gjatë verës.

“Deri kohëve të fundit, shëndeti i Mbretëreshës ka qenë relativisht i fortë”, shpjegoi ai.
Ai e përshkroi monarkun si një "staturë të përhershme", duke shtuar se "ne të gjithë kemi jetuar jetën tonë me Mbretëreshën".
Ndërkohë, jashtë Pallatit Buckingham, qytetarë të ndryshëm kanë filluar të mblidhen, pa ndonjë thirrje të veçantë.
Sa për rikujtim, situata shëndetësore e Mbretëreshës Elizabeth II, është përkeqësuar pasditen e së enjtes rreth orës 12:30 minuta.
Pallati Buckingham lëshoi një deklaratë duke thënë se mjekët e Mbretëreshës ishin të shqetësuar për shëndetin e saj, duke rekomanduar që ajo të mbetej nën mbikëqyrjen mjekësore.
Menjëherë pas kësaj, u raportua se të gjithë fëmijët e Mbretëreshës ose ishin tashmë me të në pallatin Balmoral në Skoci, ose po udhëtonin për të qenë me të.

Princi Charles, dukesha Camilla dhe princesha Anne janë tashmë në Balmoral.
Princi William, nipi më i madh i Mbretëreshës dhe i dyti me radhë në vijën e fronit, është duke shkuar atje, kurse gruaja e tij Kate, dukesha e Kembrixhit, ka qëndruar në Windsor, ndërsa fëmijët e saj janë në ditën e parë në shkollën e tyre të re.
Vëllai i Princit William, Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan kishin qenë në Britaninë e Madhe ditëve të fundit, dhe tani është marrë vesh se po udhëtojnë drejt Skocisë.
Të martën, kryeministrja e sapoemëruar e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss kishte udhëtuar vetë në Balmoral për t'u emëruar nga mbretëresha, në një thyerje të traditës, pasi monarkja normalisht do ta kishte pritur atë në Londër. Mbretëresha ka vuajtur nga problemet e lëvizshmërisë kohëve të fundit dhe kështu takimi u zhvendos në Balmoral.
























