Mbreti Charles III sonte i drejtohet kombit për herë të parë si monark
Jeton Musliu/RTKlive
Mbreti Charles III pritet t`i drejtohet kombit për herë të parë si sovran i vendit, sot në orën 18:00 (ora 19:00 sipas kohës në Kosovë).
Adresimi i tij si mbret bëhet pas vdekjes së mbretëreshës Elizabeth II.
Monarkja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe, vdiq të enjten qetësisht e rrethuar nga familja e saj, në Balmoral të Skocisë.
Mbreti Charles III, ka mbërritur në Londër, ku më vonë do të takohet edhe me kryeministren Liz Truss.
Mbretëria e Bashkuar po i bën nderime shërbimit të mbretëreshës duke shkrepur në ajër me armë të zjarrit dhe me kambanat e kishave që po bien .
Deputetët u mblodhën për t'i bërë homazhe, përfshirë kryeministren Truss e cila mbretëreshën përshkroi si "një nga udhëheqëset më të mëdhenj që bota ka njohur ndonjëherë".
Udhëheqësi i laburistëve Sir Keir Starmer tha se vdekja e saj "i rrëmben vendit pikën më të qetë, komoditetin më të madh, pikërisht në një kohë kur ne kemi më shumë nevojë për to".
Ish-kryeministri Boris Johnson, i cili takoi Mbretëreshën në Balmoral të martën për ta dorëzuar detyrën e kryeministrit, e përshkroi mbretëreshën si "Elizabeta e Madhe", duke shtuar se ajo "kishte punuar shumë për të mirën e vendit të saj, jo vetëm për tani, por edhe për brezat që do të vijnë".
Charles do të shpallet zyrtarisht Mbret në Këshillin e Aderimit në orën 10:00 të shtunën, në një ceremoni të transmetuar për herë të parë në televizion.
Pallati Buckingham deklaroi se aty do të marrin pjesë djali i tij, Duka i Cornëall dhe Kembrixhit.
Në këshill marrin pjesë gjithashtu këshilltarët e fshehtë të ftuar dhe ministrat aktualë të qeverisë në detyrë - por këtu mund të përfshihen edhe ish-ministra dhe kryeministra.
Pas takimit, deklarata kryesore, e cila shpall Charles si sovran, do të lexohet në orën 11:00 nga ballkoni me pamje nga Gjykata Friary në Pallatin St James, në qendër të Londrës.























