Carlos Alcaraz triumfon në US Open dhe bëhet nr. 1 më i ri në botë
BKT
Sport

Carlos Alcaraz triumfon në US Open dhe bëhet nr. 1 më i ri në botë

Blerim Halimi / RTKlive

Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz ka triumfuar në turneun e fundit të vitit Grand Slam “US Open”. Në finalen e zhvilluar në Nju Jork, ai e mundi norvegjezin Casper Rood, me 3:1 në sete (6:4, 2:6, 7:6, 6:3).

Me këtë fitore, spanjolli njëherësh u bë numri një me moshën më të re në renditjen e ATP-së. Ai është vetëm 19-vjeç e katër muaj. Deri më tani, rekordi ishte në pronësi të australianit Leighton Hewitt, i cili në vitin 2001 ishte në krye të listës ATP me 20 vjet e 9 muaj.

Alcaraz deri te fitorja erdhi pas tre orë e 22 minutash lojë. Setin e parë e fitoi 6:4, por më pas Rudd u kundërpërgjigj me një lojë të mirë në setin e dytë. Spanjolli theu rezistencën e kundërshtarit në setin e tretë, i cili shkoi në “tie-break”. Në fund, në setin e katërt ai festoi me 6:3, duke realizuar fitoren e tij më të madhe në karrierë.

“Është diçka që e kam ëndërruar që kur isha fëmijë. Të jesh nr. 1 në botë, të jesh kampion i një Grand Slami, është diçka për të cilën kam punuar me të vërtetë shumë”, tha Alcaraz gjatë ceremonisë së trofeut.

“Është e vështirë të flasësh tani, kam shumë emocione. Kjo është diçka për të cilën kam punuar në vazhdimësi me ekipin tim dhe familjen time. Unë jam vetëm 19 vjeç, të gjitha vendimet e vështira i kam marrë në koordinim me prindërit dhe ekipin tim. Ky sukses është vërtet i veçantë për mua”, ka theksuar Alcaraz.