Paralajmërimet e Turqisë, Macron takon Mitsotakis: Franca mbështet Greqinë
rtsh.al
Pas paralajmërimeve të bëra së fundmi nga Turqia, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një takim me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ky takim dhe konfirmimi i marrëveshjes strategjike mes Greqisë dhe Francës mbrëmjen e 12 shtatorit, i dhanë një mesazh të qartë Turqisë për aleancën mes dy vendeve.
“Fjalët e presidentit francez nuk ishin formale, nuk ishin një goditje miqësore pas shpine, por vulosje e një marrëveshjeje që jo vetëm forcon marrëdhëniet Greqi-Francë, por ka hedhur themelet për autonominë ushtarake të Evropës”, thanë burimet qeveritare, raporton news.gr.
Semiotika e takimit, në një kohë kur sulmet dhe kërcënimet nga Ankaraja ndaj Athinës janë të përditshme, i tregoi presidentit turk se marrëveshja e mbrojtjes e nënshkruar nga dy vendet nuk është vetëm një marrëveshje në letër.
Fjalët e shqiptuara nga presidenti francez u zgjodhën me kujdes. “Provokime të papranueshme”, “demokraci”, “liri”, “respektim i të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar” dhe sigurisht “respektimi i ligjit të detit”. Macron tha sa më qartë që Franca e mbështet Greqinë qartë dhe me vendosmëri.
“Këto lloj aleancash nuk ndërtohen brenda natës. Ka kaluar një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe tani po dëshmon në praktikë se po jep fryte”, tha një zyrtar i qeverisë.























