Pelosi nderon viktimat armene të masakrave të epokës otomane
REL
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ka nderuar viktimat armene të masakrave të epokës otomane, gjatë vizitës që ka për qëllim të shfaq mbështetjen për Armeninë, në mes të luftimeve të reja me Azerbajxhanin.
Nancy Pelosi, që arriti në Jerevan më 17 shtator, është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Armeninë qëkur ky shtet fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik më 1991.
Para takimit të paraparë me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, Pelosi më 18 shtator vendosi kurora lulesh pranë një monumenti në Jerevan për të nderuar pothuajse 1.5 milion armenë që vdiqën në fushatat e orkestruara të dhunës nga turqit otomanë gjatë Luftës së Parë Botërore.
Vrasjet janë cilësuar si gjenocid nga një numër i madh historianësh si dhe nga Kongresi amerikan, i cili në mënyrë unanime miratoi rezolutën e gjenocidit më 2019.
Që para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dy palët kanë luftuar për rajonin e Nagorno-Karabakut. Forcat armene etnike morën kontrollin e këtij rajoni të shkëputur më 1994. Më 2020, Azerbajxhani largoi forcat armene nga shumica e territorit të rajonit dhe qarqeve përreth.
Në dhunën e fundit, të dyja shtetet shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit që i ndan dhe forcat e Azerbajxhanit kryen sulme edhe brenda territorit të Armenisë.
Rusia, e cila ka raporte të mira me të dyja shtetet, ndërmjetësoi një armëpushim pak kohë pas nisjes së luftimeve, por përleshjet vazhduan.
Qeveria e Azerbajxhanit ende nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me vizitën e Pelosit.























