Rusët ikin drejt Serbisë, paguajnë mbi 2 mijë euro për një biletë avioni
Rtklive
Foto: RTKLive
Rajoni dhe Bota

Rusët ikin drejt Serbisë, paguajnë mbi 2 mijë euro për një biletë avioni

Jeton Musliu/RTKlive

Ndryshe nga ukrainasit që janë kthyer për të luftuar për vendin e tyre, rusët po ikin për të mos iu përgjigjur thirrjes së presidentit Vladimir Putin. Ky i fundit ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm. Kjo do të thotë se këtij dekreti, duhet t’i nënshtrohen rreth 300 mijë rezervistë.

Bazuar në këtë urdhër, të gjithë duhet t’i kapin armët e të luftojnë në Ukrainë.

Por në vendin që ka filluar të lodhët nga lufta, nga sanksionet ndërkombëtare që i janë vendosur, shumë nga ta duket se nuk janë të interesuar të lënë kockat në një vend tjetër.

Për këtë arsye, ka interesim të madh për të ikur nga vendi. E si destinacion, shihet Serbia.

Ky vend që ndodhet në zemër të Ballkanin Perëndimor, është ndër të vetmit që nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse.

Marrëdhëniet e mira e tradicionale e religjioze mes Rusisë dhe Serbisë, ka bërë që shumë rusë ta shohin këtë vend si mënyrë më të lehtë për të shpëtuar kokën.

Derisa bota perëndimore ka ndërprerë të gjitha fluturimet me Moskën, për shkak të vendosjes së sanksioneve, Beogradi edhe më tej vazhdon të mbetet i hapur.

E kjo ka bërë që çmimet e biletave të shkojnë aq lart saqë duket sikur të jetë e pabesueshme.

RTKlive ka bërë disa kërkime në internet në agjencitë e fluturimeve dhe çmimet e biletave, duken të pabesueshme.

Për më tepër, pjesa dërmuese e këtyre fluturimeve nuk janë direkte nga Moska në Beograd, pasi biletat për këto itinerare tashmë janë shitur, por kanë mbetur ato që janë të ndërlidhura, siç është nëpërmjet Turqisë dhe Azerbajxhanit.

Në këtë rast, një fluturim një drejtimesh me 1 tetor, nga aeroporti i Moskës (Vnukovo) drejt Stambollit e nga Stambolli drejt Beogradit kushton 2.059 euro.

E çmimet shkojnë vazhdimisht duke u rritur. Një fluturim tjetër nga Moska në Antalia e nga aty në Stamboll e prej atje në Beograd, kushton  2.212 euro.

Fluturimet direkte nga Moska në Stamboll, Turqi dhe Jerevani, Armeni, të dy destinacione pa viza për rusët, u shitën të mërkurën.

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka pyetur në Kremlin. Zëdhënësi Dmitry Peskov refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për mbylljen e mundshme të kufijve të Rusisë, për të parandaluar arratisjen e personave të moshës ushtarake, pas shpalljes së një mobilizimi të pjesshëm për nevojat e luftës në Ukrainë.

Gjatë ditës, presidenti rus, Vladimir Putin, bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi.

Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë.

Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t'i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se "ky nuk është një mashtrim".

Gjatë adresimit televiziv, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në "shantazh bërthamor" dhe pretendoi - pa ofruar asnjë provë - se "përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata" për "mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë".

"Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t'ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi", tha Putin, raporton REL.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha në një intervistë televizive se do të mobilizohen vetëm ata rusë që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët.

Ai, po ashtu, tha se 5.937 trupa ruse janë vrarë deri më tani në Ukrainë - shifër kjo shumë më e vogël se vlerësimet e Ukrainës dhe të disa vendeve perëndimore, që flasin për dhjetëra mijëra.

Kjo është hera e tretë që zyrtarët rusë japin shifra për humbjet ushtarake në Ukrainë. Hera e fundit ishte në fund të marsit, kur Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 1.351 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota