Riadi thotë se Rusia ka liruar 10 të burgosur të luftës
Rajoni dhe Bota

Riadi thotë se Rusia ka liruar 10 të burgosur të luftës

REL

Dhjetë të burgosur të luftës, që ishin kapur në Ukrainë, janë transferuar në Arabi Saudite, si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës, bëri të ditur Ministria e Jashtme saudite.

Në mesin e të burgosurve të liruar ka shtetas të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Suedisë, Kroacisë dhe Marokut, tha Ministria e Jashtme saudite përmes një deklarate të publikuar më 21 shtator.

“Autoritetet relevante saudite i kanë marrë dhe i kanë transferuar ata nga Rusia për në Mbretëri dhe po lehtësojnë procedurat me shtetet e tyre respektive”, u tha në deklaratë.

Shtetasit amerikanë, Alexander Drueke dhe Andy Huynh, janë në mesin e të liruarve, tha për Reuters një përfaqësues i familjeve të tyre. Dy veteranët e ushtrisë u kapën në qershor teksa po luftonin në lindje të Ukrainës në anën e trupave ukrainase, që po përballen me pushtimin rus.

Të burgosurit u liruan pas përpjekjeve të Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman, “si vazhdimësi e angazhimit të tij ndaj nismave humanitare në krizën ruso-ukrainase”, tha ministria.

Në deklaratë nuk u specifikua e kur të liruarit do të transferohen në shtetet prej nga vijnë.

Lufta në Ukrainë ka krijuar tension midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite, një prej prodhuesve më të mëdha të naftës dhe një aleate shumëvjeçare e SHBA-së.

Salman, pas takimit me presidentin amerikan, Joe Biden, në qershor u zotua se do të rrisë prodhimin ditor të naftës, për të ndihmuar Uashingtonin që të ulë çmimet e naftës që u rritën pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.

Por, Arabia Saudite po ashtu është koordinuar me OPEC+, një grup i prodhuesve të naftës, ku bën pjesë edhe Rusia. Më herët gjatë këtij muaji, ky grup i prodhuesve u pajtua që të ulë prodhimin e naftës, pasi dëshiron që të rriten çmimet e këtij karburanti.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota