Rruga Shkup-Bllacë pa epilog!
Foto: TRT/Shqip
Rajoni dhe Bota

Rruga Shkup-Bllacë pa epilog!

TRT/Shqip

Përfundimi dy kilometrave të para të rrugës së shumëpërfolur Shkup-Bllacë assesi të marrë epilog.

Autoritet në Maqedoninë e Veriut së fundmi kanë dhënë një datë të re për përfundimin e pjesës së parë të kësaj rruge. Bëhet fjalë për mesin e vitit 2023. Arsyet për këtë prolongim, sipas tyre, ndërlidhen me situatën e re të krijuar në terren, përfshirë problemet me shpronësimin e parcelave private. Po ashtu, është anuluar edhe procedura e tenderimit për 10 kilometrat tjera të kësaj rruge.


Dy kilometra për dy vjet?

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në tetor të vitit 2020 në takim me homologun e tij kosovar, ish-kryeministrin Avdullah Hotin, deklaroi se kjo rrugë, aq sa është e rëndësishme për Kosovën, aq është e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut.
Punimet përfundimtare për dy kilometrat e para nisën në vitin 2021. Në nëntor të vitit të kaluar ministri i Transportit dhe i Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Boçvarski, gjatë fillimit të aslaftimit të kilometrit të parë, tha se faza e parë e rrugës Shkup-Bllacë (2 kilometra) pritet të përfundojë në mesin e vitit 2022. Vlera e ndërtimit të këtyre kilometrave është mbi 15 milionë euro.


Kosova, treg i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut


Kosova për Maqedoninë e Veriut paraqet një treg të rëndësishëm dhe, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonimisë, ajo renditet në vendin e 10-të të listës së vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut ka vëllimin më të madh të tregtisë.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave vitin e kaluar, është arritur një rritje e konsiderueshme në tregtinë totale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës prej 43 për qind, ku eksportet janë rritur për 29,6 për qind dhe importet për 137,2 për qind.
Në katër muajt e parë të vitit 2022 është arritur një shkëmbim total në vlerë prej 162.3 milionë euro, prej të cilave 118.7 milionë euro u referohen eksporteve në Republikën e Kosovës, ndërsa 43.5 milionë euro u referohen importeve nga Republika e Kosovës.


Kompania kroate në pronësi ruse


Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZh), në korrik të këtij viti, e nënshkruan marrëveshjen për hua në vlerë prej më shumë se 167 milionë euro. Ndërsa pjesa e mbetur e projektit do të bashkëfinancohet me një grant investimi prej 20.8 milionë eurosh të siguruar nga Bashkimi Evropian (BE) nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Tenderi i parë sipas autoriteteve në Maqedoninë e Veriut ka dështuar për shkak se kompania e përzgjedhur nga Kroacia ka pasur lidhje me Rusinë. Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel Enka” është përzgjedhur si kompania e cila duhet të ndërtojë Korridorin 8 dhe 10. Rrugëtimi nga Shkupi drejt Prishtinës dhe anasjelltas, në pjesën e pikës kufitare të Bllacës në Maqedoninë e Veriut edhe më tej do të bëhet nëpër rrugën me gropa, e ku shpejtësia maksimale mund të jetë 50 km në orë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota