Prishtinës i zbutet dënimi nga Komisioni i FFK-së
Rtklive
Sport

Prishtinës i zbutet dënimi nga Komisioni i FFK-së

Uran Krasniqi/RTKLive

Prishtinës i është zbutur dënimi prej dy ndeshjeve që duhej t’i luante pa tifozë, vendim që ishte marrë nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës pas incidentit që ndodhi para ndeshjes kundër Ballkanit në stadiumin “Fadil Vokrri”, sfidë e zhvilluar në fillim të këtij muaji.

Prishtina ndeshjen e radhës që është shtyrë e që i takon xhiros së tretë të Albi Superligës së Kosovës në futboll ndaj FC Dritës do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 28 shtator (e mërkurë) duke filluar nga ora 19:00.

Këtë e ka konfirmuar edhe klubi kryeqytetas. 

''Komisioni për Ankesa i shkallës së dytë të premten ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë pjesërisht pas rishqyrtimit të lëndës ku ka vendosur që Prishtina të dënohet me vetëm një ndeshje pa praninë e shikuesve, ndërsa gjoba prej 1200 eurosh ka mbetur në fuqi.

Prishtina tashmë e ka kryer plotësisht dënimin pasi paraprakisht ka luajtur pa tifozë ndaj Malishevës, disa ditë më parë në Lipjan",a shkruar Prishtina. 

Prishtina ishte dënuar me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe me gjobë prej 1200 eurove.


MË SHUME NGA Sport