“Dardanët” bëjnë thirrje për mobilizim para sfidës jetike me Qipron
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Kombëtarja e Kosovës në futboll, nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ përballet me Qipron, në sfidën e fundit të këtij cikli në Ligën e Kombeve.
‘Dardanët’ pas disfatës ndaj Irlandës së Veriut, tri ditë më parë, në duel me qipriotët opsion të vetëm kanë fitore në mënyrë që të sigurojnë pozitën e dytë në Ligën C.
Grupi i tifozëve të Kombëtares, “Dardanët” kanë bërë thirrje për mobilizim dhe bashkim.
“Nesër kundër Qipros dëshirojmë ta ruajmë mbijetesën në Ligën C dhe vetë nderin tonë. Për t’i arritur këtë të dyja, kemi nevojë për ndihmën e çdo tifozi. Kemi nevojë që thirrjes për të ardhë në stadium dhe për ta përkrahur Kosovën, t’i përgjigjen të gjithë anëtarët e tifogrupit tonë – sepse në të kundërtën do të ketë pasoja, që nënkupton shqyrtim të anëtarësisë. Secili që do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” duhet të rreshtohet me zemër në përkrahje të Kombëtares së Kosovës për një ndeshje kaq jetike. Bëjmë thirrje për mobilizim. Kërkojmë bashkim. Nuk duam përçarje! Të gjithë i duam në stadium: -edhe ata që pajtohemi, por edhe ata që pajtohemi më pak. Kosova është e të gjithë ne. Njëherë e mirë t’i lëmë anash dasitë dhe t’i dalim zot vendin tonë. Koha të mos i nënshtrohemi debateve virtuale, por t’i japim jehonë një atmosfere çfarë i ka hije popullit të Kosovës. Anëtarët e Dardanëve luten të konsultohen dhe kontaktojnë përfaqësuesit e qyteteve respektive për t’u pajisur me bileta. Bëjmë thirrje për shkallë të ndërgjeshmërisë. Nuk do të tolerohet nga kryesia e Dardanëve asnjë abuzim me shpërndarjen e biletave”, thuhet në njoftimin e tifo-grupit ‘Dardanët’.
Ndeshja Kosova-Qipro luhet në 'Fadil Vokrri' dhe nis në orën 20:45.























