Japonia i jep sot lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Shinzo Abe
BKT
Foto: BBC
Rajoni dhe Bota

Japonia i jep sot lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Shinzo Abe

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Funerali shtetëror për kryeministrin japonez, Shinzo Abe, i cili u vra më 8 korrik në qytetin e Naras, gjatë një fjalimi që po mbante në fushatë elektorale, bëhet sot më 27 shtator, dhe pritet të ketë mijëra të pranishëm.

Sipas gazetës Japan Times, përfaqësues nga mbi 217 vende dhe organizata ndërkombëtare nga e gjithë bota, mes tyre edhe Kosova me kryeministrin Albin Kurti, pritet të marrin pjesë në funeralin shtetëror, i cili është planifikuar të fillojë në orën 14:00, sipas kohës lokale (ora 06:00 sipas kohës lokale në Kosovë), në Nippon Budokan në qendër të Tokios.

Funerali i Abe më 27 shtator do të jetë funerali i dytë shtetëror në Japoni, për një ish-kryeministër, që nga Lufta e Dytë Botërore. I pari u mbajt në vitin 1967 për Shigeru Yoshida.

Ceremonia e funeralit shtetëror do të jetë ngjarja e parë e madhe publike që nga zbatimi i udhëzimeve të reja të sigurisë së policisë, që pas vrasjes së Abes më 8 korrik.

Disa personalitete të huaja pritet të marrin pjesë në shërbimin funeral në Tokio.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi do të marrë pjesë gjithashtu në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe dhe do të takohet veçmas me kryeministrin japonez Fumio Kishida.

Gazeta Japan Times raportoi duke cituar kryesekretarin e kabinetit Hirokazu Matsuno, i cili tha në një konferencë shtypi se komiteti i planifikimit të funeralit ka vendosur të lërë mënjanë dy stendat e ofertave të luleve në park nga ora 10:00 deri në orën 16:00. Në ditën e funeralit, megjithatë zona përreth Nippon Budokan do të jetë e ndaluar për këdo tjetër përveç mysafirëve të ftuar për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Shërbimi i varrimit do të zgjasë përafërsisht një orë e gjysmë, pas së cilës do të luhet himni kombëtar i vendit, duke mbajtur heshtje për kryeministrin e ndjerë.

Si kryetar i komitetit të funeralit, kryeministri Fumio Kishida do të mbajë një fjalim përkujtimor që do të pasohet nga fjalimet e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Hiroyuki Hosoda; Kryetarja e Dhomës së Këshilltarëve, Hidehisa Otsuji; Kryetari i Gjykatës së Lartë, Saburo Tokura; dhe ish-kryeministri Yoshihide Suga si përfaqësues i kolegëve më të afërt të Abe.

Për më tepër, familja mbretërore e Japonisë gjithashtu do t'i bëjë homazh në funeralin e Abes, megjithatë, duke ruajtur linjën e traditës, Perandori Naruhito, Perandoresha Masako, Perandori Emeritus Akihito dhe Perandoresha Emerita Michiko nuk do të marrin pjesë në funeral, por të dërguarit e tyre perandorakë, do të bëjnë nderimet e tyre.

Princi i kurorës Akishino dhe princesha e kurorës Kiko, do të vendosin lule, të ndjekur nga të pranishmit e tjerë.

Abe u qëllua më 8 korrik në qytetin japonez Nara. Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, iu afrua politikanit nga pas dhe qëlloi me dy të shtëna nga një distancë prej rreth 10 metrash.

Sulmuesi thuhet se planifikoi vrasjen e ish-kreut të qeverisë 67-vjeçare për gati një vit. Abe mori dy plagë me armë zjarri në pjesën e përparme të qafës dhe plumbi që e vrau, i dëmtoi zemrën dhe një arterie, duke shkaktuar humbje gjaku.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota