Bastisje në Mal të Zi për spiunim për shërbimet ruse 
Rajoni dhe Bota

Bastisje në Mal të Zi për spiunim për shërbimet ruse 

REL

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve.

Në Podgoricë të Malit të Zi janë duke u bërë disa bastisje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga prokurori special i këtij vendi, Vukas Radonjiq.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve, për shkak të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale: krijim i organizatës kriminale dhe spiunazh. Deri më tash nuk është arrestuar askush”, tha Radonjiq.

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e mirëpriti veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.

Më herët, e përditshmja malazeze, Vijesti, duke cituar të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB), njoftoi se në Podgoricë janë arrestuar disa shtetas malazezë, nën dyshimin se punonin për shërbimin inteligjent rus.

“Një nga personat e arrestuar, sipas të dhënave të ANB-së, ka punuar për shërbimin rus për më shumë se një dekadë dhe është pjesë e një grupi më të gjerë, anëtarët e të cilit njihen nga ANB-ja”, raportoi Vijesti.

Duke u thirrur në një burim të paidentifikuar, Vijesti po ashtu shkroi se aksioni i ANB-së dhe Prokurorisë Speciale “është vetëm fillimi i aktiviteteve për zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja inteligjente”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota